Hoxhaj në Suharekë: Serbia duhet të paditet për gjenocid, s’pranojmë të rishkruhet historia

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj i shoqëruar nga bashkëpartiak kanë bërë homazhe te kompleksi memorial për viktimat e familjes Berisha, në 22 vjetorin e kësaj masakre.

Sipas tij, kjo masakër është dëshmi konkrete e gjenocidit të Serbisë, prandaj sipas tij shteti serb duhet të paditet për krimet e kryera gjatë luftës.

Hoxhaj u zotua se kjo çështje do të jetë prioritet dhe se asnjëherë nuk do të pushojnë duke kërkuar drejtësi.

“Pas shumë vitesh e kujtojmë këtë masakër dhe e fshehjes së krimit natyrisht që kërkojmë që Serbia të paditet për gjenocidin e ushtruar në Kosovë dhe nuk do të pushojmë që kjo çështje të bëhet e ardhshme e të gjithë akterve politik”.

Ai nuk la pa përmendur edhe gjykimin e krerëve të UÇK-së në Hagë, e që sipas tij, po gjykohen padrejtësisht.

Hoxhaj shtoi se është e papranueshme që të rishkruhet historia, raporton EO.

“Kur jemi te masakra e Therandës ne jemi me zemër me shokët tanë të cilët në mënyrë të padrejtë përballen me Gjykatën Speciale të cilët kanë qenë udhëheqës të lutës tonë për liri. Nuk pranojmë që të rishkruhet historia e Kosovës sepse është rishkruar këtu në Therandë”.