Hoti takon Zemajn, kreun e IKSHPK-së dhe Krasniqin, tregon se a do të ketë masa të reja

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ka takuar sot ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtorin e IKSHPK-së, Naser Ramadani, drejtorin e SHSKUK-së, Valbon Krasniqi dhe zëvendësministrin e Arsimit, Xhavit Rexhaj, raporton Gazeta Express.

Me këtë rast, Hoti ka hënë se kanë vendosur që të mbesin në fuqi masat e njëjta kundër COVID-19.

” Po shqyrtohen mundësitë për fillimin e mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit, për dy javët e ardhshme, duke filluar nga 22 marsi. Vendimi lidhur me këtë çështje pritet të merret sot pasdite pas takimit të përbashkët të MASH-it, MSH-së, IKSHPK-së, SBASHK-ut dhe Këshillit të Prindërve”, ka shkruar ai në rrjetin e tij social Facebook.

Shkrimi i tij i plotë:

Pas takimit me Ministrin e Shëndetësisë, z. Armend Zemaj, drejtorin e IKSHPK-së, z. Naser Ramadani, drejtorin e SHSKUK-së, z. Valbon Krasniqi dhe zëvendës Ministrin e Arsimit Xhavit Rexhaj, vendosëm që të mbesin në fuqi masat e njëjta kundër Covid-19, pasi që trendët janë stabile.

Po shqyrtohen mundësitë për fillimin e mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit, për dy javët e ardhshme, duke filluar nga 22 marsi. Vendimi lidhur me këtë çështje pritet të merret sot pasdite pas takimit të përbashkët të MASH-it, MSH-së , IKSHPK-së, SBASHK-ut dhe Këshillit të Prindërve.

Edhe një herë kërkuam nga qytetarët që të respektojnë distancën fizike, të përdorin maskat dhe të mirëmbajnë higjienën personale. Ndërsa nga institucionet përgjegjëse për kontrollin e zbatimit të masave kundër Covid -19, që të ngrisin nivelin e angazhimit përmes respektimit rigoroz të masave në fuqi.

Përkundër ngarkesave, institucionet shëndetësore po funksionojnë me kapacitete të plota dhe furnizimi me barna është stabil. 

Ndërsa Komiteti për Imunizim dhe institucionet përkatëse janë duke i kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme që sapo të arrijë kontingjenti i parë i vaksinës COVAX, menjëherë të filloj vaksinimi i qytetarëve.