HAZIRI: SOT ME DALË NË ZGJEDHJE REZULTATI DO TË JETË I NJËJTË SI AI I 6 TETORIT

I pari i Gjilanit dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, beson se që nëse mbahen zgjedhjet, rezultatet do të jenë përafërsisht të njëjta si ato të 6 tetorit.

Dallim, sipas tij, bënë rasti i PDK-së kryetari i së cilës “është i kërcënuar nga një akuzë për krime lufte nga Dhomat e Specializuara”.

“Unë jam njëri prej atyre që besoj shumë, që sot me dalë në zgjedhje, rezultati është pak a shumë i njëjtë. Heq një solidaritet qytetarë dhe mobilizim të votës të subjekteve politike që ndihen natyrshëm të kërcënuar nga aktakuza. PDK-ja si parti e cila tash e ka kryetarin e saj nën kërcënim të një aktakuze me apo pa të drejtë nuk është detyrë e imja me e determinu”, ka thënë ai në KTV

Duke folur për aktakuzën, ai ka thënë se pastërtia e luftës në Kosovë do të lahet me drejtësi.

“Unë jam një nga ata që besoj që pastërtia e luftës do të lahet me drejtësi herët apo vonë dhe kjo nuk lidhet me emër të përvetshëm. Në rastin tonë para drejtësisë po nxjerrët një proces me një individ të caktuar, ashtu siç po potencon gjykata, por nëse sheh brendësinë atëherë po del një ekip. Është hera e tretë që po provohet me u vendosë drejtësia në Kosovë dhe shpresojmë që po mbyllet”, ka thënë ai.