Franca me rekord të ri të infektuarish, Macron: Do marrim disa vendime jo thjesht shkencore

Franca ka shënuar një numër rekord ditor me të infektuar që nga shpërthimi i pandemisë. Ditën e djeshme u zbuluan 10 mijë raste të reja dhe kjo ka shtuar alarmin e ekspertëve.

Numri i të shtruarve në spital gjithashtu është në nivel kritik, me më shumë se 2200 pacientë të rinj në vetëm shtatë ditë, përfshirë 371 që janë në trajtim intensiv. Shifrave të ditës së djeshme iu shtuan edhe 90 viktima, duke çuar totalin në 30 mijë e 813, numri më i lartë i viktimave në Bashkimin Europian pas Italisë.

Franca ka tani edhe nivelin e dytë më të lartë në BE sa i përket incidencës 14 ditore me 135.1 raste për 100,000 banorë. Këtë e konfirmon Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) që liston Spanjën në vendin e parë.

Për shkak të situatës, ministrat dhe zyrtarët e Shëndetësisë do të mbajnë një takim sot pasdite për të diskutuar masat e reja që do të vendosen kundër coronavirusit.

Presidenti Macron u tha dje gazetarëve që qeveria ka disa vendime për të marrë të cilat nuk do jenë vetëm vendime shkencore.

“Kur marrim vendime për të luftuar virusin duhet të kufizohemi. Ne siç e dimë tashmë kemi pasoja shumë negative”, tha Macron duke përmendur ndikimin që ka pasur pandemia në sëmundjet e tjera, arsimin e fëmijëve dhe ekonominë.

Franca aprovoi një paketë stimuluese prej 100 miliardë eurosh në fillim të këtij muaji për të për të frenuar papunësinë dhe për ti dhënë një stimul ekonomisë.