Elon Musk i bindur për jetën në Mars, por pranon rrezikun: Shumë njerëz ndoshta do të vdesin

Elon Musk ka pranuar se “një numër i madh njerëzish ndoshta do të vdesin” në garën për të arritur në Mars.

Pioneri i SpaceX bëri parashikimin e tij të hapur, ndërsa qeshi me mënyrën se si misioni i tij i planifikuar në Mars po shihej si “një çelës shpëtimi për njerëzit e pasur”.

“Njerëz mund të vdesin, do të jetë e pakëndshme dhe ndoshta nuk do të keni ushqim të mirë,” -tha Musk gjatë një interviste. “Reklamat për udhëtimin duhet të theksojnë se do të jetë një udhëtim i mundimshëm dhe i rrezikshëm, ku mund të mos kthehesh gjallë.”

Ndërsa këmbënguli se do të jetë gjithashtu një aventurë dhe përvojë e mahnitshme, Musk theksoi rrezikun.

“Sinqerisht, një numër i madh njerëzish ndoshta do të vdesin në fillim. S’është për të gjithë”, -tha ai, duke shtuar me një nënqeshje: “Vetëm vullnetarët!”

Kompania hapësinore e Musk ka lëshuar më shumë se 100 raketa gjatë dekadës së fundit në përpjekje për të mundësuar dërgimin e turistëve në Hënë dhe Mars, por një numër i raketave pa pilot kanë marrë flakë.

Megjithatë, ai parashikoi në dhjetor se kompania e tij do të ketë njerëz në Mars deri në vitin 2026.

Në vitin 2015, Musk diskutoi për krijimin e një qyteti në Mars pas një uljeje të suksesshme të raketave nga SpaceX. Ai më pas publikoi një dokument në qershor të vitit 2017 për ta bërë njerëzimin një specie multi-planetare, duke paraqitur planet për të patur deri në 1 milion njerëz në Mars.