Edhe Grenell reagon: Pauzat në numërimin e votave janë shumë të dyshimta

Përfaqësuesi special i Shteteve të Bashkuara për dialogun Kosovë – Serbi dhe një ndër përkrahësit më besnikë të presidentit Donald Trump, është bërë pjesë e përplasjeve në lidhje me numërimin e votave, duke ngjallur dyshime për pauzat gjatë procesit.

“Pauzimi i numërimit të votave është i dyshimtë. Shumë i dyshimtë”, shkroi Grenelli në Tëitter. Më vonë, ai shkroi: “Pauzim i numërimit të votave për të marrë më shumë kohë për të menduar se çka të bëhet. Mos i lejoni të shkojnë në peshkim për vota”.

Më herët, presidenti Donald Trump e vuri në pikëpyetje legjitimitetin e procesit të votimit pa paraqitur ndonjë fakt, duke pretenduar se gjatë zgjedhjeve ka pasur mashtrime dhe duke thënë se do të kërkojë nga Gjykata Supreme që numërimi të ndërpritet.

Në anën tjetër, ndaj kësaj deklarate ka reaguar ashpër kampi i Bidenit. Menagjerja e fushatës së ish-nënpresidentit amerikan ka thënë se deklarata e Trumpit është tronditëse, e pashembullt dhe jokorrekte dhe se presidenti i tanishëm po synon që t’ua marrë të drejtat demokratike qytetarëve amerikanë.