Çfarë dihet për llojin e ri të koronavirusit të shfaqur në Britaninë e Madhe?

Mbretëria e Bashkuar ka miratuar një sërë masash të rrepta për festat e fundvitit, pas shfaqjes së një forme të ri të koronavirusit që po përhapet me shpejtësi në juglindje të Anglisë.

Kryeministri Boris Johnson tha se forma e re është 70 për qind më e transmetueshme sesa variantet e tjera, duke përbërë mbi 62 për qind të rasteve të reja në Londër.

Por çfarë dimë për formën e ri të virusit që po i nxit autoritetet të ndërmarrin hapa më drastike për të kufizuar përhapjen e COVID-19?

Kur është raportuar për herë të parë forma e re e koronavirusit?

Ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock, deklaroi më 14 dhjetor se ekziston një variant i ri i koronavirusit.

“Analizat paraprake sugjerojnë se varianti i ri po shtohet me më shumë shpejtësi se variantet ekzistuese”, paralajmëroi Hancock.

Maria Van Kerkhove, drejtuesja teknike e OBSH për COVID-19, tha të hënën se “deri më tani nuk kemi prova që ky variant vepron ndryshe”, por zyrtarët britanikë thanë të shtunën se forma e re është më infektuese.

“Kemi dijeni për variantin e ri gjenetik të raportuar për 1 mijë persona në Angli”, tha Dr. Mike Ryan, drejtori i programit të emergjencave në OBSH.

“Evolucionet apo mutacionet e këtij lloji janë mjaft të zakonshme”, tha Dr. Ryan.

Sipas Hancock, forma e re e koronavirusit nuk do të përbëjë problem për vaksinën.

Cilat janë ndryshimet e kësaj forme të re të koronavirusit?

Këshilltari kryesor shkencor i Mbretërisë së Bashkuar, Sir Patrick Vallance, tha të shtunën se varianti i ri ka 23 ndryshime, “shumë prej të cilave kanë të bëjnë me ndryshime në proteinën që bën virusi”

Ai gjithashtu tha se sipas studimeve forma e re është më e transmetueshme, çka do të thotë që përhapet me më shumë shpejtësi.

A ka sjellë varianti i ri forma më të rënda të virusit?

Zyrtarët britanikë thanë se nuk mendojnë që varianti i ri shkakton forma më të rënda të virusit, por përhapet më shpejt gjë e cila mund të shkaktojë probleme për sa i përket shtimit të rasteve të reja.

“Virusi përhapet më me shpejtësi ndaj duhen masa të reja për ta vënë nën kontroll”, deklaroi një prej autoriteteve mjekësore të vendit.