Ashpërsohen masat për ata që shkojnë nga Kosova në Gjermani

Nga e diela nuk mund të hyni në shtetin e Gjermanisë, pa pasur një test për Covid-19 që dëshmon që rezultoni negativ.

Ambasada e Kosovës në Gjermani, ka njoftuar për rregullat e reja të cilat vlejnë për personat që ia mësyjnë Gjermanisë.

Gjatë udhëtimit hyrës për në Gjermani qoftë me aeroplan, apo përmes rrugëve tokësore me autobus ose automjet privat, në rast të qëndrimit paraprak në një rajon me rrezikshmëri të lartë brenda 10 ditëve të fundit, vlenë:

Udhëtarët, të cilët në 10 ditët e fundit kanë qëndruar në Kosovë, duhet që para udhëtimit hyrës për në Gjermani të paraqesin një rezultat negativ të testimit për Covid-19, i cili duhet të jetë bërë jo më herët se 48 orët e fundit. Kosova nga data 24.01.2021 do të kategorizohet si rajon me rrezikshmëri të lartë.

Gjithashtu, në rast të udhëtimit hyrës nga një rajon me rrezikshmëri të lartë, ju që para udhëtimit duhet të regjistroheni nëpërmjet kësaj FAQES dhe të mbani me vete dëshminë mbi regjistrimin.

Pas udhëtimit hyrës në Gjermani, ju duhet të vendoseni menjëherë në destinacionin tuaj dhe aty parimisht t’i nënshtroheni një vetë-izolimi/karantinimi 10-ditor. Duhet hteksuar se ky detyrim për izolim nuk mund të zëvendësohet nga një test para udhëtimit hyrës, por koha e izolimit mund të shkurtohet vetëm me anë të një testi të dytë negativ për Covid-19 PCR, i cili duhet të bëhet jo më herët se 5 ditë pas izolimit (Strategjia e dy testeve).

Ministria e Jashtme Federale edhe më tej paralajmëron për udhëtimet jo të domosdoshme në rajonet me rrezikshmëri. Kosova aktualisht është kategorizuar si rajon me rrezikshmëri të lartë.