Arrijnë 100 mijë vaksina Pfizer në Kosovë: Nuk do ketë ceremoni zyrtare

Më shumë se 100 mijë vaksina Pfizer kundër koronavirusit kanë arritur sot në Kosovë, përmes Aleancës Gavi të COVAX, shkruan Gazeta Metro.

Këtë e bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë përmes një postimi në Facebook.

Në postimin e MSH’së, u bë e ditur se 100,620 vaksina Pfizer kanë arritur sot në Kosovë.

‘’ 100, 620 vaksinat e siguruara përmes COVAX janë një hap i rëndësishëm për të ndjekur planin e vaksinimit me ritme të shpejta dhe pandërprerë, sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë’’, thuhet në postimin e MSH’së.

Kujtojmë se përveç këtij donacioni me 100 mijë vaksina, në Kosovë ishin sjellur edhe donacione tjera prej 24 mijë vaksina si fillim, më pas 38 mijë dhe para dy javësh 15 mijë tjera.

Ky është njoftimi i plotë:

‘’ Sot kanë arritur 100, 620 vaksina Pfizer falë Aleancës Gavi të COVAX. Që nga arritja e 24, 000 dozave të para të vaksinës, të cilat u pasuan nga 38, 400 doza që morëm dy javë më parë, dhe 15, 000 doza, që janë dorëzuar deri më tani nga Mekanizmi i Bashkimit Evropian për Ballkani Perëndimor, ekipet e vaksinimit në të gjithë vendin kanë vaksinuar grupet prioritare dhe qytetarët me sëmundje kronike siç përcaktohet në Planin shtetëror të Vaksinimit.

Vaksinimi është mjeti thelbësor dhe shpresa më e mirë për t’i dhënë fund pandemisë COVID-19.

100, 620 vaksinat e siguruara përmes COVAX janë një hap i rëndësishëm për të ndjekur planin e vaksinimit me ritme të shpejta dhe pandërprerë, sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë.

Sidoqoftë, pandemia COVID-19 nuk ka mbaruar ende. Në ndërkohë, ne do të vazhdojmë të mbajmë masat e mëposhtme të parandalimit – mbajtjen e maskave, distancën fizike dhe higjienën e mirë për të kufizuar përhapjen e virusit dhe për të kontribuar në parandalimin e humbjeve të jetës dhe komplikimeve serioze të shëndetit të shkaktuara nga pandemia COVID-19.’’