Albin Kurti në gjumë, mijëra shqiptarë të Kosovës vaksinohen në Rashkë

Derisa Kurti vazhdon t’i impresionojë militantët partiakë të tij, me të në krye të shtetit, mijëra shqiptarë të Kosovës po shkojnë në Serbi për t’u vaksinuar. Qeveria nuk ka asnjë përgjigje për këtë punë.

Meqenëse Kosova ka mbetur mbrapa në sigurimin e vaksinës antiCovid, qytetarët e saj kanë nisur t’i bëjnë zgjidhje vetës dhe familjarëve të tyre më të moshuar.

Përveç qytetarëve të etnisë serbe, nga Kosova po shkojnë në Serbi për të marrë doza të vaksinës edhe shqiptarët. Gazeta Express ka mësuar se shumë shqiptarë të Kosovës janë vaksionuar në Rashkë, rajon ky shtrihet në afër kufirit me Kosovën.

Burime e Expressit kanë treguar se qytetarët po përdorin dokumentet e vjetra që kanë, ato të Jugosllavisë, për të marrë vaksinën në Serbi.

Për këtë, gazeta ki ka dërguar pyetje Zyrës se Kryeministrit Kurti, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme. Asnjëra nga këto institucione, deri në përfundimin e orarit të punës dhe deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk ka kthyer përgjigje.

Interesimi më i madh për ta marrë vaksinën është tek moshat më të shtyra.

Të njoftuar me vaksinimin e kosovarëve në Serbi, janë shprehur edhe anëtarët e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi.

Anëtari i këtij komisioni nga radhët e PDK’së, Bekim Haxhiu, ka thënë për Express se derisa Qeveria e Kosovës ka refuzuar vaksinat që janë ofruar nga Shqipëria, qytetarë nga Komuna e Gjilanit, Prishtinës e nga pjesa veriore, po shkojnë në Serbi për t’u vaksinuar.

Ai ka deklaruar se pasi qeveria ka dështuar në sigurimin e vaksinës, qytetarët po marrin rrugën drejt shtetit serb.

“Derisa qeveria ka dështuar për të siguruar vaksinën, kemi informata që shumë qytetarë po shkojnë të vaksinohen në Serbi. Derisa qeveria ka refuzuar vaksinat nga Shqipëria, pjesa e Gjilanit dhe pjesa e Prishtinës po shkojnë në Preshevë, pjesa veriore e Kosovës në mënyrë të organizuar po shkojnë në Novi Pazar. Duke e parë këtë situatë qytetarët po gjejnë rrugë alternative. Ndërsa, kjo ka filluar të shndërrohet edhe në biznes, por qeveria po bënë sehir”, ka thënë ai.

Haxhiu është shprehur se derisa situata me pandeminë është shqetësuese, po mungojnë raportimet nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

Ndërsa, qytetarët e Kosovës gjatë këtij viti janë ftuar vetë nga shteti serb për t’u vaksinuar.

Përmes një njoftimi për media në shkurt të këtij viti, zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë ka thënë se aplikimi duhet të bëhet në institucionet shëndetësore në vendet ku jetojnë.

Ndërsa, përkundër interesimit të madh të qytetarëve për t’u vaksinuar kundër këtij virusi, vendi deri tani ka arritur të furnizohet me vetëm rreth 29 mijë vaksina Anti-COVID.

Shumë të moshuar, e persona me sëmundje kronike, janë në listat e pritjes për vaksinim.

Deri në ardhjen e kontingjenteve tjerë të vaksinave, ata nuk do të mund ta marrin atë.