Agim Veliu nuk është më kryetar i degës së LDK-së në Podujevë

Kryetari i LDK’së Lumir Abdixhiku ka prezantuar kandidatët për kryetar komunash nga kjo parti, ku shumica janë emra të njohur dhe që janë aktualisht në krye të komunave.

E të gjitha kompetencat e degës së LDK-së në Podujevë i kanë kaluar kandidatit të kësaj partie për kryetar të kësaj komune, Ekrem Hysenit.

Kjo është konfirmuar nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Ai ka thënë se ky ka qenë vendim i kryesisë, pas mbledhjes që filloi në orën 18:00.

“Me vendim të kryesisë, kandidati për kryetar të Podujevës nga LDK është Ekrem Hyseni. Kryesia e LDK-së i ka kaluar të gjitha kompetencat e degës dhe shtabit zgjedhor dhe të garës në Podujevë. Vendime të njëjta do të jenë pothuajse në secilën komunë. Kjo me qëllim të reformimit edhe të degëve. Kompetencat i kanë kaluar kandidatit për kryetar të komuëns së Podujevës, nuk ka të bëjë me individ”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka shtuar se kryetari i deritanishëm i degës në Podujevë, Agim Veliu nuk ka shprehur interesim për të rikandiduar.

Veç kësaj, Abdixhiku konfirmoi se janë zyrtarizuar kandidaturat për Prishtinë, Podujevë, Pejë, Lipjan, Viti, Suharekë dhe për Vushtrri.