Dikur ishin shokë e sot është i dyshuar për vrasjen e tij, si ndodhi tragjedia në Ferizaj

Gazmend Hyseni, 30-vjeçar është vrarë sot në Ferizaj. I dyshuar për vrasje është bashkëmoshatari i tij, Qëndrim Januzi, i cili është vëllai i reperit Buta. Raportohet se viktima dhe i dyshuari për vrasje deri viteve të fundit kanë qenë shokë të ngushtë. Por, si erdhi deri te vrasja? Gazeta Express ju sjell një përmbledhje të krejt asaj që dihet deri tash për rastin tragjik

“Motivet lidhur me këtë ngjarje ende nuk dihen, ndërsa, i dyshuari  “Q.J “ me vendim të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh, nën dyshimin për veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të njëjtit, brenda afatit ligjor, do të paraqesë edhe kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Ferizaj”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

<b></b> Pamje të tmerrshme, vëllai i këngëtarit Buta dyshohet se e vrau mbrëmë në Ferizaj shokun e tij
Pamje nga vendi i ngjarjes

Qëndrim Januzi, që është edhe vëllai i reperit kosovar, Betim Januzi, që njihet me emrin artistik Buta, s’është i panjohur për organet e drejtësisë.

Vetë reperi kishte treguar në një intervistë për T7 në vitin 2018, se vëllai i tij për një tentim-vrasje dhe kishte mbajtur 3 vjet burg.

“Vëllai ka qenë në burg për tentim-vrasje, është dënuar edhe për tentim-vrasje edhe për armëmbajtje pa leje se e ka gjujt me allti, ka mbajt tre vjet burg edhe ka dalë në vitin 2016”, kishte thënë ai.

Reperi Buta me vëllain Qëndrimin, i dyshuar për vrasjen e 30-vjeçarit në Ferizaj

Reperi poashtu kishte thënë se kanë pasur vazhdimisht probleme dhe zënka me njerëz të ndryshëm.

“Kemi pasë probleme të mahallës, deri para 2014-2015 janë kry krejt. Nuk kanë qenë probleme me u rre por kanë qenë më serioze, kemi qenë në bela, jo me gjak por me shoqëri. Kam shokë që kanë vdekë, kam shokë që kanë qenë në burg, vëllai im ka qenë në burg”, kishte thënë Buta në T7.

Për vrasjen e të riut, kanë reaguar dy reperët kosovarë, Fero dhe Fuego, të cilët kanë pasur shoqëri me të./Gazeta Express