Protesta e paralajmëruar nga serbët, QUINT-i dhe BE-ja: Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë, por edhe përgjegjësi nëse eskalon situata

Përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë përmes një deklaratë për media kanë shprehur qëndrimin e tyre për protestat e paralajmëruar për sot në veri të vendit, ndërsa kanë shprehur shqetësimin për rrezikun e përshkallëzimit ose dhunës.

Në deklaratë thuhet se qytetarët kanë të drejtën e tubimit paqësor por kanë edhe përgjegjësinë për të siguruar që tubime të tilla të jenë paqësore dhe të mos bëhen të dhunshme.

QUINT-i dhe BE-ja po ashtu i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo retorikë ose veprim që mund të rrisë tensionet.

“Ndër vlerat tona të përbashkëta demokratike janë e drejta për tubime paqësore… Forcat e rendit e kanë për detyrë ruajtjen e rendit publik dhe këtë duhet ta bëjnë pa cenuar parimet demokratike të fjalës së lirë dhe tubimit. QUINT-i dhe BE-ja gjithashtu përsërisin thirrjet e tyre ndaj Kosovës dhe Serbisë që të veprojnë me përmbajtje dhe të përmbahen nga çdo retorikë apo veprim që mund të rrisë tensionet”, thuhet në deklaratë, raporton Telegrafi.

Ndryshe, është raportuar se në veri të vendit pritet të fillojë protestë në orën 12:00.

Kjo pasi ditë më parë Qeveria e Kosovës ka refuzuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe të 3 prillit në Kosovë.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ditë më parë pas mbledhjes se Qeverise në një konferencë për media ka folur rreth çështjes së mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, ndërsa u shpreh se nuk mund të thotë se Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për mosmbajtjen e tyre, por sipas tij, nuk ka marrëveshje paraprake ndërmjet dy qeverive e që është edhe parakusht për mbajtjen serbe në Kosovë.

Kurti para gazetarëve të Kosovës ka thënë se Bashkimi Evropian nuk ka qenë i lumtur me faktin se nuk ka pranuar që gjithçka rreth mbajtjes të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë të përmbyllet përbrenda një letre  shkëmbimi të sugjeruar ndërmjet zyrtarëve ndërlidhës. /Telegrafi/