PDK’ja del e para në rezultatet për kryetar komunash sipas partive

Qytetarë të shumtë iu drejtuan dje kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesin e tyre për komunën në të cilën jetojnë.

Nga Komisioni Qendror Zgjedhor në mbrëmje u bë e ditur se dalja në votime ishte 42.50%. Por ndryshe nga zgjedhjet e kaluara lokale këtë herë 21 komuna do të shkojnë drejt balotazhit.

E mirë nga këto zgjedhje duket se doli Partia Demokratike e Kosovës, që sipas të gjitha gjasave pati një rikthim të fuqishëm në fitoren e komunave.

Nga përfundimi i numërimeve të deritanishme del se PDK-ja do të drejtojë katër prej komunave mjaftë të rëndësishme të vendit.

Pa shkuar fare në balotazh, Partia Demokratike e Kosovës është e vetmja që arriti të marrë nën drejtim katër komuna të Kosovës. Tri prej komunave bënë ndryshimin e në krye të drejtimit të tyre do të jenë tre nga kandidatët e PDK-së.

Partia Demokratike e Kosovës ka fituar katër komuna pa balotazh. Në Mitrovicën e Jugut, Bedri Hamza ka mposhtur Agim Bahtirin e VV-së, i cili për tetë vjet ishte kryetar i kësaj komune.

Në Ferizaj ka fituar sërish Agim Aliu, derisa PDK-ja ka arritur ta rikthejë bastionin e vetë, Skenderajn.

Fadil Nura mundi kryetarin e Skenderajt, Bekim Jasharin, që ishte kandidat i pavarur.Kandidati i PDK-së në Hanin e Elezit, Mehmet Ballazi, ka arritur ta mposhtë kryetarin e deritanishëm të kësaj komune, kandidatin e pavarur, Rufki Suma.Në bazë të llogaritjeve të bëra deri tani PDK është renditur si e dalë më së miri nga rezultatet për kryetar të komunave sipas partive.