“Në Tiranë na pret ferri!”

Ish-kapiteni i Kombëtares polake, Jacek Bak, në një intervistë për Salon24, ka deklaruar se në Tiranë, Poloninë e pret ferri.

“Atje, armiku është atmosfera, auditori dhe lojtarët e rivalëve që godasin dhe pështyjnë. Sot, në Tiranë, lojtarët tanë duhet të jenë gati për çdo gjë, sepse vendasit, duke pasur një shans për vendin e dytë në grup, do të jenë të motivuar trefish”, paralajmëron ish-kapiteni polak Bąk.

Sot, në orën 20.45, ekipi polak do të përballet me Shqipërinë, në stadiumin “Air Albania” për raundet kualifikuese të Kupës së Botës “Katar 2022”.

Jacek Bąk është pjesëmarrës në dy fushata të kampionateve botërore (2002 dhe 2006) dhe kampionatit evropian EURO 2008.

Ish-lojtari i Olympique Lyonnais dhe Austria Vienna ka kujtimet më të këqija të udhëtimeve me ekipin kombëtar në këto “fusha”.

“Një makth i pret djemtë tanë në Tiranë. Lojtarët nga skuadrat si Shqipëria dhe Rumania kanë një kuptim specifik të termit konkurrencë”, theksoi Bak.

Ish-kapiteni polak rrëfen se i urrente transfertat – referuar udhëtimeve në Kazakistan, Armeni apo Azerbajxhan.

Duke iu kthyer ndeshjes së parë midis të dyja skuadrave – që përfundoi 4 me 1 – Bak deklaroi se rezultati nuk pasqyroi atë që ndodhi në fushë.

“Shqiptarët prodhuan më shumë lojë. Ne duhet të ndalojmë së konsideruari shqiptarët si ekip me lojtarë të dobët”, shtoi Bak.

Për ish-kapitenin polak, Shqipëria ka një ekip solid, të mirorganizuar, lojtarët e të cilës luajnë role të rëndësishme në klubet e tyre nga liga italiane – analizon Bąk.

Jacek Bąk beson se, nëse Robert Lewandowski luan si në ndeshjen e parë kundër Shqipërisë, polakët do të triumfojnë në Tiranë.

I pyetur për ndonjë parashikim të mundshëm, Bak sheh një rezultat në favor të Polonisë 2-1, por pavarësisht optimizmit, ai ka rezerva për mbrojtjen e polakëve. /