Kurti përmendi veç tri suksese të Qeverisë së tij: I pari del mashtrim, i dyti del mashtrim, i treti del mashtrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme publikoi një video-spot në mbështetje të kandidatëve të tij për kryetarë komunash duke bërë manipulime të papara me opinionin publik.

Albin Kurti sulmoi të gjithë kundërkandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, përkundër që partia e tij nuk ka ofruar kurrfarë projekti serioz në asnjë qytet të Kosovës.

Ai me çehre të ngrysur përmendi qeverisjen e tij, e cila po karakterizohet me një ngadalësi të çuditshme dhe me vendime që po kontestohen si në kundërshtim me interesat strategjike të shtetit.

Por, në tri pikat që përmendi si “suksese” gënjeu po tri herë.

Pretendimi I

“Në gjashtë muaj të qeverisjes sonë, vendi ynë regjistroi shkallën më të lartë të rritjes ekonomike në Evropë,” – pretendoi kryeministri.

E vërteta?

E vërteta është se të gjitha shtetet e Evropës kanë shënuar rritje ekonomike pas hapjes së ekonomive.

Siç shpjegon ekonomisti Dardan Sejdiu, që dikur ishte bashkëpartiak i Kurtit, rrëfeu se “ekonomia e Shqipërisë gjatë tremujorit të dytë u rrit për plot 17.89%. Ekonomia e Malit te Zi u rrit per 19 %, njejte sa ekonomia e Maqedonise. Vetem ekonomia e Serbise dhe ajo e Bosnjes dhe Hercegovines u rriten me nga 13.7 dhe 14.7 %. Mirepo prape se prape rritja e ekonomise tone gjate kesaj periudhe eshte nen nivelin mesatar te ketij rajoni (Western Balkan 6 perjashto Kosoven).”

Pra, Kosova jo që s’ishte e para në Evropë por ishte e fundit në rajon.

Për më tepër, Kurti kishte kritikuar vazhdimisht para-ardhësit e tij si kryeministra [Haradinaj, Hoti, Thaçi, Mustafa] kur përmendnin shifrat e rritjes ekonomike. Por, duket se edhe kjo është në mesin e shumë e shumë fjalëve që i ka harruar pasi ka marrë pushtetin.

Pretendimi II

“Për vetëm tre muaj, doli në krye të rajonit për shkallë të vaksinimit,” – u shpreh më tej, kryeministri.

Në fakt, çështja e vaksinimit është shumë më e komplikuar se sa që mund të duket. Qeveria Kurti kishte mbetur në fund të listës për një kohë të gjatë, dhe i pari qytetar që do të vaksinohej do të ishte vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Gjendja alarmante me vaksina do të çonte në një program ndihmash për Kosovën që s’ishte e zonja të siguronte vetë kontratat me kohë. Mos-nisja me kohë e procesit të vaksinimit do t’u kushtonte rëndë qytetarëve të Kosovës, sidomos prej gushtit e deri në tetor.

Por, shumica e vaksinave të marra do të ishin në formë ndihmash, kryesisht nga programi COVAX për shtetet në zhvillim (të varfra).

Ajo çka ndodhi më pas ishte një dërrmim i plotë i situatës pandemike në vend. Muajt e verës dhe keqmenaxhimi total i pandemisë do të sillte valën e radhës, që do të pëlciste si asnjëherë më parë në fillim të muajit gusht.

658 qytetarë gjetën vdekjen vetëm në dy muajt e kaluar. Sa prej tyre do të shpëtonin nëse procesi i vaksinimit do të niste me kohë? Natyrisht, Kurti nuk flet për një çështje të tillë.

Pretendimi III

“Kosova u listua si vendi me nivelin më të ulët të krimit të organizuar në rajon” – tha më tej Kurti, duke përmendur një indeks të krimit të organizuar që e listonte Kosovën për herë të parë.

Kjo listë do ta vendoste Kosovën në vendin e trembëdhjetë në Evropë, një rënditje mjaft e keqe, por megjithatë marrë parasysh rajonin do të shihej si gjendje e mirë.

Në këtë listë nuk kishte figuruar më herët Kosova, dhe marrë parasysh që gjendja e tërësishme nuk ka lidhje me kryeministrin Kurti apo qeverisjen e tij, atëherë meritat dhe fajet i bartin qeverisjet e kaluara.

Vetëm mund ta marrim me mend se sa lehtë do ta dredhonte Kurti këtë listë për ta paraqitur Kosovën si një vend që gëlon nga Krimi i Organizuar.

Po e përsërisim: vendi i 13 në Evropë! /