Haxhiu: Disa persona brenda institucioneve të drejtësisë po shpifin ndaj meje

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu, ka thënë se disa persona brenda institucioneve të drejtësisë po shpifin kundër saj. Megjithatë, ajo ka theksuar se pavarësisht kësaj, do të vazhdojë punën që Kosova të bëhet shtet i së drejtës.

Haxhiu përmes një shkrimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se reformat në drejtësi janë shumë të rëndësishme, prandaj sipas saj “është jetike”, që Kosova të bëhet shtet i së drejtës.

“Ka disa ditë që persona të papërgjegjshëm përbrenda institucioneve të drejtësisë janë duke shpifur në formën më të ulët në drejtim timin. Padyshim që qëllimi i këtyre shpifjeve është njollosja e përpjekjeve serioze për reformën në drejtësi”, shkroi Haxhiu.

Ajo ka deklaruar se në vend të mbështetjes së Ministrisë së Drejtësisë për këto reforma, “persona të papërgjegjshëm kanë zgjedhur shpifjen dhe tendencën për baltosje”, ka thënë ajo duke shtuar se “asgjë nuk na ndalon”.

Në anën tjetër, ministrja Haxhiu ka theksuar se dy nga zotimet e saj si ministre dhe Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti, janë sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit.

“Dy nga zotimet tona kryesore para qytetarëve kanë qenë sundimi i ligjit që i hap rrugën edhe luftës ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe zhvillimi ekonomik që i hap rrugën vendeve të reja të punës”, shtoi ajo.

Ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu

Në fjalën e saj duke legjitimuar ndërmarrjen e Qeverisë për reformën e sistemit të drejtësisë ka thënë se, ishte disponimi qytetarë ai që i ka dhënë mundësi kësaj qeverie ta bëjë reformën.

Ministrja Haxhiu ka thënë se fokusi i MD-së është i përqendruar në katër prioritete:

“Reforma në drejtësi përmes implementimit të strategjisë për sundimin e ligjit dhe vettingun në sistemin e drejtësisë; Lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit; Adresimi i dhunës në familje, dhunës ndaj grave, dhunës në baza gjinore si fenomene që e dëmtojnë zhvillimin e mbarë shoqërorë; Adresimi i krimeve të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka thënë ajo.

Albulena Haxhiu – Ministre e Drejtësisë në Kosovë

Sa i përket vettingut ajo ka thënë se  MD ka përfunduar Koncept-dokumentin “për zhvillimin e procesit të vettingut në sistemin gjyqësor dhe prokurorial i cili do të miratohet nga Qeveria” në ditët në vijim.