Bekim Jashari ankohet në PZAP – “U vodhën votat me sitemin e trenit bullgar”

Lista e pavarur e Bekim Jasharit ka deponuar mbi 10 ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, që sipas kësaj liste kanë të bëjnë me vjedhjen e votave me sistemin e “trenit bullgar”.

“Nga vëzhguesit tonë në shumë vendvotime, gjatë numërimit të votave janë gjetur shumë fletëvotime të pavulosura për kryetar komune, mund të këtë edhe shumë tjera që nuk janë identifikuar në mungesë të komisionarëve tonë në vendvotime, për të cilat kërkojmë informacione nga ju qytetarë të dashur”, ka shkruar Jashari në Facebook.

“Në emër të demokracisë dhe vullnetit të shenjtë të qytetarëve kërkoj nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dhe Prokuroria e Kosovës që të hetojnë çdo keqpërdorim të procesit zgjedhor”.

Fadil Nura nga PDK-ja ka shënuar fitore në raundin e parë të zgjedhjeve në Skenderaj, me 57.99 për qind të votave. Bekim Jashari ka marrë 40.64 për qind.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar 46 ankesa në lidhje me procesin e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit në Kosovë.

Kështu ka bërë të ditur kryesuesi i Sekretariatit të PZAP-it, Mulë Desku, për Albanian Post.

“Ju informoj se PZAP-i ka pranuar 46 ankesa nga subjekte të ndryshme politike”, tha Desku.

Sipas Deskut, “PZAP-i lidhur me parregullsitë për ditën e zgjedhjeve, i ka pranuar deri në ora 19:00 të kësaj të hëne”.

“PZAP-i këto ankesa i shqyrton brenda afatit prej 72 orëve pas dorëzimit të tyre”, shtoi ai.