Televizioni publik serb: Ushtria e Serbisë vetëm 2 km larg kufirit me Kosovën

Serbia vazhdon të kërcënojë Kosovën me prezencën e saj ushtarake në afërsi të kufirit në pjesën veriore të vendit. Televizioni publik serb, RTS, sot ka publikuar pamje ku tregohet se Ushtria e Serbisë po qëndron vetëm 2 kilometra larg pikës kufitare në Jarinje.

Siç ka raportuar gazetari i RTS direkt nga terreni, thuhet se janë katër automjete të blinduara që janë më pak se dy kilometra larg vijës administrative në mes të Kosovës dhe Serbisë.

RTS thotë se Ushtria Serbe është në gatishmëri të lartë luftarake për shkak të situatës në veri të Kosovës, dhe në tre ditët e fundit, avionët luftarakë të Ushtrisë Serbe gjithashtu kanë fluturuar mbi këtë territor.

Situata në veri vazhdon të jetë e tensionuar, pasi serbët po refuzojnë targat e Republikës së Kosovës. Ata kanë bllokuar rrugët që çojnë në dy pikat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë, Jarinje dhe Bërnjak.

Gjithashtu, atje po qëndron edhe Policia e Kosovës me njësitet e saj speciale, për të ruajtur përkeqësimin eventual të situatës, e gjithashtu për të iu ofruar siguri edhe doganierëve dhe policëve kufitar.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një reagim të tij në Twitter ka thënë se situata mund të zgjidhet vetëm përmes dialogut.

Por, është presidenti serb, Aleksandar Vuciq, i cili ka kërcënuar me sulm ushtarak, sipas tij, nëse eventualisht KFOF’i nuk reagon për të mbrojtur qytetarët serbë në veri.