Situata në veri: Vuçiqit i shkon një propozim i ri nga BE-ja

Të martën, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq deklaroi se kishte marrë një propozim nga vendet Quintit dhe BE-ja për të zgjidhur tensionet në vendkalimet kufitare të Jarinjes dhe Bërnjakut, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitet në targa.

Sipas Vuçiqit, Serbisë iu ofrua një zgjidhje kompromisi, të cilën ai e refuzoi.

Sidoqoftë, mediat në Serbi raportojnë se Vuçiqit sot i është dërguar një propozim i ri.

Siç thuhet, kreu i diplomacisë së BE-së, Joseph Borrel dhe përfaqësuesi special i BE -së për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak, janë në kontakte telefonike me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Sipas këtyre raportimeve, qëllimi është që urgjentisht të qetësohet situata e tensionuar në veri të Kosovës ndoshta të mbahet një takim mes Vuçiqit dhe Kurtit në Bruksel.

BE thekson se ata janë të gatshëm të ndërmjetësojnë në dialogun midis dy udhëheqësve që do të zhvillohej në Bruksel, tema kryesore e të cilit do të ishte zgjidhja e situatës aktuale në Kosovë. /