Nëse keni dërguar para për këta persona, keni rënë pre e mashtrimit

Policia e Kosovës ka identifikuar dy persona të cilët dyshohen për disa raste të mashtrimeve. Në një komunikatë për media, Policia e Kosovës ka bërë të ditur se bëhet fjalë për shtetasit kosovarë, Mexhid Krasniqi (35) dhe Muhamet Gashi (22).

Siç ka njoftuar Policia “Personat e dyshuar përmes llogarive bankare, kanë përfituar shuma parash duke përdorur rrjetet sociale në internet dhe portalet, (me dokumente që dyshohet të jenë të falsifikuara), për të kërkuar ndihmë për shërim jashtë vendit, për persona të ndryshëm”, shkruan Reporteri.net.

Në media janë publikuar edhe rastet e personave për të cilët ishte kërkuar ndihmë, duke bërë që qytetarët të bien pre e mashtrimit.

Një nga rastet për të cilët është kërkuar ndihmë është Shukri Krasniqi,  i cili në apelin ku kërkohej ndihmë thuhej se jetonte në Ferizaj dhe ishte baba i dy fëmijëve.

Fotografia e tij ishte publikuar shumë në media, dhe qytetarët kishin dërguar para duke mos pasur ide se bëhej fjalë për një person fiktiv.

I kërkuari nga Policia, Mexhid Krasniqi ishte ai që kishte kontaktuar me shumë media duke kërkuar para për për personin në fjalë.

I njëjti sipas një shkrimi të publikuar nga Express po kërkonte ndihmë edhe për një vajzë të quajtur “Egzona Krasniqi” nga Gjakova.

Llogaria bankare prapë ishte në emër të Mexhid Krasniqit.

Personat e dyshuar aktualisht ndodhen në arrati dhe janë shpallë në kërkim nga ana e policisë. /