Kurti pro hapjes së arkivave të UÇK-së: S’kemi çfarë të fshehim

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit që pati me Drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, në kuadër të dialogut me Serbinë, ka thënë se të dy palët janë pajtuar që të hapen arkivat shtetërore të Serbisë edhe të Kosovës. E pro kësaj ideje ka dalë edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se Kosova “s‘ka çfarë të fshehë”.

Pas pjesëmarrjes së tij në edicionin e shtatë të Shkollës Diplomatike organizuar nga Akademia Diplomatike e Kosovës dhe Fondacionin Friedrich-Ebert, Kurti para mediave ka theksuar se me hapjen e arkivave, do të ndihmohej të gjendeshin të pagjeturit. Ai insiston se duhet të hapen edhe arkivat në Beograd sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Ne i kemi arkivat e shtetit tonë të cilat i përfshijnë ato gjatë luftës të UÇK-së dhe ne jeni shumë transparentë, mirëpo na duhet ta zbardhim fatin e të pagjeturve, e për këtë ne duhet të hapim arkivat në Beograd sepse vrasjet e varrosjet e masakrave e më pastaj zhvarrosjet nuk janë bërë nga qytetarët serbë por nga shteti i Serbisë në mënyrë të organizuara, e që janë në arkivat e Serbisë që duhet të hapen një orë e më parë”, është shprehur Kurti.

Ai po ashtu, ka thënë se që nga përfundimi i luftës, Kosova ka qenë nën administrimin e ndërkombëtarëve.

“Kosova siç e dini që nga viti 1999 e këndej, kemi qenë nën administrim ndërkombëtar, pra vend më transparent e më të hapur se Kosova nuk ka, e ajo që duhet të hapet është Serbia, sepse në katër luftëra që Serbia i ka bërë, gjenocidi që i ka bërë në Bosnjë e Kosovë, duhet të zbardhet e vërteta, që të dihen urdhërdhënësit”, shtoi ai.

Sipas tij, për hapjen e arkivave duhet të flitet edhe në forume ndërkombëtare.

“Pikënisja jonë si Qeveri nuk është imagjinata jonë mbi gatishmërinë e Serbisë por mbrojtja e interesit tonë dhe vullneti për të drejtën dhe drejtësinë. Në çdo forum ndërkombëtar, kryefjalë duhet ta kemi hapjen e arkivave atje”, ka potencuar Kurti.

Ndërkaq, gjatë takimit trilateral, pala serbe ka deklaruar se janë dakord që të hapen të gjitha arkivat.

Deklarimi i Bislimit, e ka befasuar ushtruesin e detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku.

Një gjë të tillë sipas Klinakut duhet ta bëjë Serbia.

“Serbia duhet t’i hap arkivat dhe të tregoj ku i ka varrosur qytetarët tanë që janë nëpër varreza në atje”, tha Klinaku.

Në anën tjetër, nënkryetarja e Partisë Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku,  hapjen e arkivave po e konsideron grackë të rrezikshme.

“Zëvendëskryeministri paska deklaruar në Bruksel se Beogradi është pajtuar t’i hapin arkivat, e aty paska thanë edhe diçka për hapjen e arkivave për UÇK-në. Zoti Bislimi, për cilat arkiva e ke fjalën. Arkivat e Beogradit për UÇK-në. Ato tashmë janë në Hagë” ka shkruar Çitaku në Facebook.

“Arkivat e Kosovës për UÇK-në. Apo arkivat e fabrikuara nga të tjerët për UÇK-në. Ju a po mendoni që me pas UÇK arkiva të tilla ato nuk kishin dalë tashmë”.

“Kjo është një grackë e rrezikshme, me pasoja të frikshme. Me veprimet tuaja të papërgjegjshme tashmë keni pranuar atë për të cilën Serbia ka akuzuar Kosovën dhe UÇK-në për vite të tëra”.

Për këtë çështje Albanian Post, ka pyetur Valbona Mehmetaj, këshilltaren politike për media të kryeministrit Kurti, se për çfarë arkiva e ka pas fjalën zëvendëskryeministri Bislimi.

“Ka folur për arkivat shtetërore për UÇK-në”, ka thënë Mehmetaj për Albanian Post, pa dhënë më shumë detaje. /Albanianpost.com