Gjuriq: Kurti po e çon rajonin drejt gjakderdhjes

Ambasadori i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Marko Gjuriq ka reaguar pasi Kosova sot ka filluar reciprocitetin me Serbinë për targat e veturave, ku forca të shumta të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës qëndruan në veri të vendit për të monitoruar situatën.

Gjuriq tha se ky veprim nga ana e Kurtit u bë me qëllim të fitimit të poenave politik.

“Regjimi Kurti në Kosovë po e çon rajonin në prag të gjakderdhjes. Dërgimi i forcave speciale të armatosura në zonat me shumicë serbe vetëm për hir të fitimit të poenave politik për kandidim për zgjedhjet lokale të 17 tetorit është kërcënuese dhe shkelje e të gjitha marrëveshjet. Ju lutemi mos luani me zjarrin sa nuk është vonë”, ka shkruar Gjuriq në një postim në Twitter.

Gjuriq përmes këtij shkrimi u shpreh se do të ishte më mirë që qeveria kosovare të angazhohej në procesin e dialogut mes dy vendeve.

“Në vend që të angazhohet në një dialog konstruktiv me Beogradin dhe të punojë së bashku drejt një të ardhmeje normale për rajonin, qeveria në Prishtinë po përdor AK47 të vjedhur dhe APC të dhuruar për të frikësuar popullsinë serbe”, thuhet në postimin e Gjuriqit.

“Duhet të keni turp nga vetja, zoti Kurti”, ka përfunduar Ambasadori i Serbisë në SHBA.