Britani, “hajdutet e Rolexave” mund të jenë gra shqiptare

Policia angleze po heton një vjedhje të re të orëve “Rolex”. Dyshimi është që gratë të cilat kryejnë sulmet të jenë shqiptare.

Derek Freestone, 77 vjeç, është viktima e fundit e një bande që synon orët e shtrenjta të burrave të moshuar në fshatra dhe fusha golfi në Hampshire, Surrey, Sussex dhe Gloucestershire.

Policia e Hampshire-t beson se ai është një nga të paktën 10 individë që janë vënë në shënjestër nga banda, e cila besohet të jetë evropiane lindore.

Kriminelët e të gjithë qarkut, ku kanë ndodhur vjedhjet, paraqiten si punonjës bamirësie me tabelë blu, të cilët i kërkojnë viktimave të tyre të nënshkruajnë një peticion para se t’i rrëmbejnë orët nga kyçi i dorës.

E përditëshmja “The Telegraph” ka zbuluar një sërë incidentesh të reja këtë verë, ka kanë qenë të përfshirë dy vëllezër, të moshës 85 dhe 91 vjeç, të cilët ishin shënjestruar nga banda 80 kilometra larg, në Gloucestershire dhe Surrey.

Dhjetëra viktima i kanë përshkruar sulmuesit si një ose dy gra, të moshës 20 ose 30 vjeç, me flokë të errëta ose të çelëta.

Freestone, një tregtar i verës në pension, nga Kent, u vu në shënjestër nga dy gra të cilat përputheshin me të njëjtin përshkrim,  teksa po shkonte në Festivalin Goodwood më 7 korrik.

Dy gratë, të cilat i thanë Freestone-it se ishin shqiptare, ishin të veshura me bluza të bardha me tehe blu, pantallona të errëta dhe këpucë të zeza, njëra me flokë ngjyrë e çelur dhe tjetra me flokë të errët.

Pasi u larguan, Freestone kuptoi se kishin marrë me vete orën e tij Rolex Oyster prej 4 mijё e 500 paundësh.

Ai thirri policinë, e cila mbërriti në vendngjarje brenda 20 minutave, por asnjë kamera nuk arriti të kapte krimin pasi sulmi ndodhi në një zonë të izoluar.

Të nesërmen, më 8 korrik dhe 112 milje larg, një grua shënjestroi Michael Parry-n, 85 vjeç, duke përdorur saktësisht të njëjtën metodë për të vjedhur Rolex-in e tij prej 13 mijë e 500 paundësh, ndërsa ai ishte duke bërë pazar në supermarketin e fshatit të tij në Gloucestershire.

Kamerat CCTV e kapën atë duke ikur së bashku me një burrë me një Citroen C1 të argjendtë.

Një zëdhënës i Policisë së Hampshire tha: “Jemi duke hetuar vjedhjen e një ore Rolex një burri në Emsworth, High Street më 7 korrik, rreth orës 15:15”.

“Burrit iu afruan dy gra, me thekse të Evropës Lindore, njëra prej të cilave u përpoq ta përqafonte. Kur gratë ishin larguar, ai kuptoi se nuk e kishte më orën në dorë”.

“Kemi marrë një numër raportesh për incidente të tilla. Hetuesit po punojnë për të zbuluar nëse ka ndonjë lidhje midis incidenteve në fjalë”.