BE bën thirrje që të shmangen tensionet në Veri, nuk deklarohen për targat e përkoshme RKS

Zëdhënësi i BE-së për Politikë dhe Siguri të Jashtme, Peter Stano, në një konferencë për media ka folur rreth vendimit të reciprocitetit të targave për veturat që hyjnë nga Serbia.

Stano tha se BE është duke vëzhguar situatën, derisa u ka bërë thirrje dyja palëve të përmbahen.

“Jemi duke vëzhguar situatën nga afër dhe dua të theksoj liria e lëvizjes është një kusht themelor i BE-së dhe këtë e presim edhe nga Kosova dhe Serbia që ta promovojnë atë. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të përmbahen dhe të reduktojnë tensionet. Menjëherë dhe pa ndonjë vonesë”, tha zëdhënësi i BE-së për Politikë dhe Siguri të Jashtme.

Stano ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të përdorin dialogun si platformën e vetme për të zgjidhur të gjitha çështjet e hapura që mund t’i kenë këto dy vende, përfshirë edhe lirinë e lëvizjes.

“Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tashmë ka arritur në Beograd dhe në takimin me presidentin Vuçiq, këtë pasdite, do ta adresojë situatën dhe pas disa orëve ai do të flasë edhe me lidershipin politik të Kosovës për të adresuar këtë çështje”.