Zemaj paralajmëron ashpërsim të masave ndaj COVID -19

Në një konferencë për media, Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka folur rreth situatës së krijuar me COVID-19 në Kosovë

“Si Ministër i Shëndetësisë edhe kur e kam marrë mandatin në kohën kur ka filluar lirimi i masave, kemi qenë të vetdijshëm se rritja e numrit të të infektuarve do të jetë i madh. Menaxhimi i pandemisë në hapje dhe ai në izolim total është i ndryshëm”, ka thënë Zemaj.

Ai ka thënë se në rast se sot kthehemi në gjendje të izolimit, do të kishim rezultate të menjëhershme dhe menaxhimi do të ishte shumë më i lehtë, por  kjo sipas tij do të dëmtonte qytetarët e vendit.

“Kemi provuar ta ruajmë shëndetin publik dhe atë ekonomik, duke u koordinuar në vazhdimësi me profesionistët, jam koordinuar dhe këshilluar me ta për secilin vendim. Dje dhe pardje ishim përballë një realiteti krejt tjetër nga ajo që është rekomanduar. Rekomandimet nuk u respektuan në mbrëmje nga gastronomët dhe shumë qytetar të Kosovës”, ka thënë Zemaj.

Ai tutje ka thënë se përballë situatës së krijuar janë të detyruar që të ashpërsojnë masat.

“Përballë kësaj situate ne jemi të detyruar që të ashpërsojmë masat, prandaj sot së bashku do të koordinojmë vendimet dhe nuk do të lejojmë të keqësohet kjo situatë. Jemi duke punuar në krijimin e një spitali ku do të trajtohen vetëm të infektuarit me COVID-19. Nga kjo javë do të shtohet edhe numri i inspektorëve në teren në mënyrë që këto masa të respektohen në mënyrë strikte”, ka thënë Zemaj.