Zëdhënësi i VV-së për Sejdi Hoxhën: Për një vit shpenzoi Kaq

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Perparim Kryeziu ka thënë se deputeti i PDK-së, Sejdi Hoxha gjatë kohës sa kishte qenë kryeshef në Post vetëm për shpenzime telefoni në vitin 2017 kishte harxhuar plot 8 mijë e 143 euro.

Këtë postim Kryeziu e ka bërë pas konferencës së PDK-së, në të cilën ka folur Hoxha, i cili e ka bërë përgjegjës Lëvizjen Vetëvendosje për gjendjen e krijuar në Telekom pas bllokimit të llogarive nga përmbaruesi.

Ai ka thënë se Hoxha ka përfituar mijëra euro duke qenë në krye të Postës e cila operonte me humbje milionëshe nën drejtimin e tij.

“Në vitin 2017 dhe 2018,  z.Hoxha i ka kushtuar Postës 50 mijë e 309 euro, respektivisht 40 mijë e 438 euro (paga, bonuse, mëditje, shpenzime të telefonit, derivateve dhe reprezentacionit). Pra, rreth 4 mijë euro në muaj. Teksa, sipas raportit të auditorit të vitit 2018 Posta e Kosovës vazhdonte të operonte me humbje milionëshe, dhe për çdo vit kërkonte mbështetje financiare për pagat e punëtorëve, kryeshefi i kësaj kompanie, z.Hoxha, vetëm për shpenzime telefoni në vitin 2017 kishte harxhuar plot 8 mijë e 143 euro”, ka shkruar Kryeziu.

Tutje, ai ka thënë se Hoxha duke qenë PDK u bë Kryeshef në një ndërmarrje  publike nga viti 2012-2019 vetëm për t’u rikthyer më pas sërish në origjinë si deputet i PDK-së.

“Këta persona që kanë vjelur ndërmarrjet publike e që jo rastësisht vijnë nga partia e cila është përgjegjësja më e madhe e shkatërrimit ekonomik e dëmtimit të ndërmarrjeve publike, po na shfaqen kinse të shqetësuar për to. Duket që z.Hoxha sot paska vendosur të hedhë mjegull, por shifrat janë të qarta”, ka shkruar Kryeziu.