Vendoseni Kosovën në hartë’, Rita i bashkohet fushatës ndaj Apple, përmend edhe Dua Lipën

Rita Ora e ka përmendur Dua Lipën dhe disa nga yjet shqiptarë me famë botërore.

Rita Ora është bërë pjesë e peticionit online, ku i kërkohet kompanisë “Apple” që të vendosë emrin e Kosovës në aplikacionin “Apple Maps” dhe të caktohen qartë kufijtë me Serbinë, shkruan lajmi.net.

Këngëtarja e ka publikuar foton në llogarinë e saj në Instagram dhe i ka etiketuar llogarinë e kompanisë ‘Apple’ në këtë rrjet social.

Do të më pëlqente ta shihja Apple duke shpërndarë pakëz vetëdijesim duke e vënë Kosovën në hartë! Shqipëria dhe Kosova janë vende aq të bukura dhe me shumë talente, ndërsa unë jam aq krenare për femrat tona të jashtëzakonshme, të forta, të talentuara që e përfaqësojnë trashëgiminë tonë. Shpërndani dashuri, paqe dhe unitet sot me Bebe Rexhën, Dua Lipën, Era Istrefin, Dafina Zeqirin, Ava Max dhe shumë të tjera”, ka shkruar këngëtarja pranë postimit.

Peticioni nisi pasi në “Apple Maps” vija kufitare mes Kosovës dhe Serbisë paraqitet ndryshe nga ajo që është përdorur për vendet e tjera dhe në të duket sikur Prishtina është pjesë e Serbisë. Kufiri i Kosovës në hartë është i ngjyrosur me një rozë të lehtë gati të padallueshme, emri i vendit nuk shkruhet dhe në të është shënuar vetëm kryeqyteti Prishtina.