Veliu: Policia dhe AKK duhet ta luftojnë çfarëdolloj të krimit

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, priti në takim drejtorin e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli, me të cilin biseduan për bashkëpunimin mes dy institucioneve.

Me këtë rast ministri Veliu vlerësoi se në një shoqëri demokratike është shumë e rëndësishme siguria dhe luftimi i dukurive negative që cenojnë sigurinë.

Ai tha se roli i Policisë së Kosovës dhe Agjencisë Kundër Korrupsion janë garantë për të luftuar çfarëdolloj të krimit, në veçanti korrupsionit, si dhe parandalimit të rasteve të konfliktit të interesit.

Sipas një njoftimi të ministrisë, në këtë takim me theks të veçantë u diskutua për projektet e përbashkëta dhe rolin e të të dy institucioneve për të mbështetur njëra tjetrën në luftimin e korrupsionit.

Ishte konstatim i përbashkët se luftimi i korrupsionit do të ndikojë në përmirësimin e besimit të qytetarëve në institucionet e Kosovës dhe po ashtu do të kishte ndikim pozitiv në vlerësimet e organizatave që e monitorojnë këtë proces.