“Ulu po ta mbajti” – Meta godet ashpër Ramën: Nxore në shitje Shqipërinë e Kosovën

Përplasje të ashpra ditëve të fundit kanë pasur presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama.

Në përplasjen virtuale përmes rrjeteve sociale, Meta e Rama kanë akuzuar njëri tjetrin ashpër për tradhëti kombëtare e fyerje të dëshmorëve.

Përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, presidenti Meta, ka akuzuar Ramën se ka ofenduar dëshmorët e Atdheut, si Vojo Kushi.

“Esati i Rilindjes, zëdhënësi i armiqve të Kombit Shqiptar, guxoi sërish sot të marrë nëpër gojë Vojo Kushin, duke ofenduar për të disatën herë Dëshmorët e Atdheut, familjarët e tyre, veteranët dhe të gjithë shqiptarët që nderojnë dhe krenohen me vlerat e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”, ka shkruar Meta, 

Kreu i shtetit shqiptar ka shkuar edhe më larg, duke e quajtur tradhëtar kryeministrin Rama, për siç tha ai, nxjerrjen në shitje të Shqipërisë e Kosovës.

“Esati i Rilindjes, pengu i armiqve më të egër të Kombit Shqiptar, që ka nxjerrë në shitje Shqipërinë dhe Kosovën provoi para të gjithë shqiptarëve për të disatën herë se i urren Dëshmorët dhe Heronjtë e Atdheut, si Vojo Kushi, që kanë sakrifikuar gjithçka, duke falur edhe jetën e tyre, për Atdheun!”, ka shkruar me tutje Meta.

Meta nuk është ndalur me kaq, pasi ka akuzuar Ramën për zëvendësimin e simbolit të Partisë Socialiste, trëndafilin e kuq, me gjethen e kanabisit.

Esati i Rilindjes, armiku më i egër i socialistëve idealistë, guxoi sot të fyejë edhe simbolin e tyre dhe të Partisë Socialiste, trëndafilin e kuq si gjaku, që prej kohësh e ka zëvendësuar me gjethen e kanabisit dhe barin e egër të Rilindjes, që rritet në llumin e oligarkisë dhe bandave. Esati i Rilindjes duhet ta ketë të qartë se numërimi mbrapsht për të dhe Sektin pa nder, pa vlera e pa Atdhe që përfaqëson, ka filluar dhe NUK DO NDALET! TRE MILIONË ILIRË NË 25 PRILL I KA GATI!”, ka thënë Meta përmes këtij shkrimi.

Madje, kreu i shtetit shqiptar ka ftuar Ramën në debat për t’u përballur me të gjitha këto.

“Dhe nuk më thua, o trendi buburrec, kur do dalësh në përballje me mua? Mezi po të pres!”, ka përfunduar Meta