Trumpi përsëri kërkon ndërprerje të numërimit të votave

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, përsëri ka bërë thirrje që të ndërpritet procesi i numërimit të votave pas akuzave të pabaza të tij për mashtrim.

Në një postim në Facebook, ai shkroi me shkronja të mëdha: “Ndaleni numërimin!”

Sidoqoftë, këtij postimi Facebook-u ia ka shoqëruar një shënim, ku thuhet se votat janë duke u numëruar, dhe një link ku jepen më shumë të dhëna për zgjedhjet.null

Kësaj thirrjeje i është bashkëngjitur edhe përfaqësuesi special për dialogun Kosovë – Serbi dhe një ndër përkrahësit më besnikë të tij, Richard Grenell, i cili ka thënë në Shtetet e Bashkuara kanë votuar të vdekurit dhe ata që nuk janë banorë të lokacioneve ku kanë votuar.

Zyrtarët e fushatës së Trumpit kanë thënë se do të dorëzojnë ankesa ligjore në disa shtete, përfshirë shtetin kyç, Pensilvaninë, nën dyshimin se procesi i numërimit nuk është duke u kryer në mënyrë të rregullt.