Tre liderët institucionalë, ‘të lëçitur’ mes vete

Tre përfaqësuesit më të lartë të shtetit janë lëçitur mes vete. Presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentarja Vjosa Osmani dhe kryeministri Avdullah Hoti, prej rreth një muaji nuk kanë zhvilluar asnjë komunikim direkt dhe as nuk janë takuar.


E dhëna është konfirmuar nga këshilltarë të këtyre zyrtarëve të lartë shtetërorë, por të cilët kanë folur vetëm në kushte anonimiteti. Ndërkaq, informata për çështjen e njëjtë kanë refuzuar të japin në dy nga tri institucionet, në të cilat gazeta ka adresuar pyetje, raporton KOHA.

Vetëm në Kabinetin e kryeparlamentares e kanë konfirmuar këtë fakt.

Bekim Kupina, këshilltar për media i kryetares së Kuvendit, ka theksuar se Osmani është duke e kryer në plotni funksionin e saj kushtetues, duke e ftuar vazhdimisht në raportim kryeministrin në seanca, meqë qeveria i përgjigjet Kuvendit. Megjithëkëtë, ai ka treguar se takimet kanë munguar.

“Ajo e pret Kryeministrin nëse ai kërkon takim, gjë që deri tashti nuk ka ndodhur. Presidenti kurrë nuk e ka ftuar Kryetaren në asnjë aktivitet. Njëjtë as Kryeministri. Pra, kryetarja e Kuvendit nuk ka mungesë komunikimi me askënd, por është e kundërta”, ka thënë Kupina. “Kryeministri nuk ka kërkuar takime me Kryetaren, siç ka qenë praktikë qe sa mandate. As Presidenti nuk e ka ftuar Kryetaren në asnjë aktivitet”.

Publicisti Imer Mushkolaj ka vlerësuar se ky realitet politik e ka burimin tek motivet personale e partiake.

“Krerët institucionalë të një shteti, logjikisht do të duhej që t’i mbanin këto pozita me idenë se do të bashkëpunonin për çështje të ndryshme, që janë në interes të shtetit dhe qytetarëve”, ka thënë Mushkolaj. “Situata me tre liderët institucionalë në Kosovë tregon për qasjen bajraktariste që e kanë këta liderë, me idenë se unë jam më i rëndësishëm se tjetri dhe njëkohësisht tregon se si këta krerë institucionalë në radhë të parë e kanë të rëndësishëm interesin e vet dhe përfitimin e vet politik, sesa interesin e shtetit dhe interesin e qytetarëve”.