Specialja cakton datën për seancën e radhës ndaj Thaçit

Dhomat e Specializuara kanë publikuar datën se kur do të mbahet seanca e radhës ndaj ish-kreut politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Thaçi do të paraqitet për herën e dytë para Tribunalit Special më datë 18 nëntor, duke filluar nga ora 11:00,

Paraqitjen e parë para Gjyqtarit të Procedurës Paraprakë në Hagë, Thaçi e pati të hënën e 9 nëntorit, ku edhe u deklarua i pafajshëm duke i hedhur poshtë të gjitha akuzat e Speciales.

Ai tha që ato akuza janë të paqëndrueshme.

Ish-presidenti u arrestua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar më 5 nëntor dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë në të njëjtën ditë.

Aktakuza e ngarkon Hashim Thaçit me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit sipas të drejtës ndërkombëtare, për forma të ndryshme të përgjegjësisë penale. /