Qytetarët dënohen, por këtij polici në Gjakovë nuk i intereson për maskë

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës në Gjakovë, është parë në hapësirat publike, madje në detyrë, pa maskë mbrojtëse ndaj COVID-19, bartja e së cilës është e obligueshme me vendim të Qeverisë së Kosovës.

Në një foto të publikuar në një faqe në rrjetin social Facebook, e cila është nën administrim të qytetarëve të Gjakovës, shihet polici duke biseduar me dy persona të tjerë, të cilët po ashtu janë pa maska.

Deri më tash janë gjobitur qindra qytetarë nga Inspektorati Sanitar në bashkëpunim me Policinë, për mosrespektim të masave kundër pandemisë, por siç duket ka pjesëtarë të Policisë të cilët po shkelin vendimet e Qeverisë.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 13 korrikut ka miratuar masa shtesë për të frenuar përhapjen e sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi i ri.

Nga ajo datë, të gjithë banorët e Kosovës obligohen që të bartin maskat për fytyrë në të gjitha aktivitetet jashtë shtëpive apo banesave të tyre, si dhe të mbajnë distancë fizike prej 2 metra në ambiente të përbashkëta jashtë shtëpive/banesave të tyre

Numri total i rasteve pozitive me koronavirus në Kosovë është 6.045 raste nga 31.956 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2, me gjithsej 144 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese