Pse po “përleshen” shqiptarët mes vete për Bidenin e Trumpin

Një histeri dhe tension vërtet i nivelit të lartë ka sjellë në opinionin publik shqiptar çështja e emocioneve në lidhje me zgjedhjet amerikane.

Sharje, akuza, nerva dhe emocione negative me një frenezi të pandalshme po shoqërojnë në rrjete por edhe në televizione debatin me Trump apo Biden.

Dhe ç’është me e çuditshmja është toni i lartë i përgjigjeve ku nuk mungojnë fyerjet dhe sharjet e forta për cilin do që ka prekur emocionet e njerëzve.

Ndërsa të enjten në Open, 4 gjirokastritë qytetarë, pjesëtarë të familjeve të njohura të qytetit: Kokalari, Fico, Babaramo e Harxhu u përleshën në studion e emisionit të Eni Vasilit, ku nuk munguan edhe tone përplasje të forta.

Por duket se ajo që ka sjellë një reagim që nuk ndalon ka qenë shkrimi i Babaramos për çështjen Biden apo Trump, ku gazetari ka vendosur një titull provokues, ndoshta edhe për të krijuar një impakt në rrjet. “Për trampistët e Tiranës dhe të djathtët që lajnë pjata në Detroit”, e titulloi Babbaarmo shkrimin dhe ka marrë një vëmendje shumë të madhe kryesisht nga shqiptarët e Amerikës.

Të cilët në pjesën më të madhe të tyre në komente duket se janë mbështetës të Trump, por i kthehen gazetarit me fyerje e sharje pafund në një gjuhë të frikshme rruge e nivel skandaloz edukate.

Vërtetë titulli i Babaramos mund të ketë nota diskriminimi apo fyerjeje, por bullizmi i kundërpërgjigjeve nga mbështetësit e Trump janë pa fre.

Dhe pikërisht ky është edhe fenomeni shqiptar i asaj situate polarizuese që dominon prej kohësh në SHBA mes përkrahësve të Trump dhe kundërshtarëve të tyre.

Sikur është çliruar apo hapur një gropë “septike” e nivelit më të ulët të përgjigjes njerëzore.

Një urrejtje, mjedis toksik i këtij mllefi njerëzor për një gjë që nuk na përket, apo nuk është pjesë e përditshmërisë sonë, merr si përgjigje thjesht një pakuptueshmëri për këtë “uragan urrejtje”, ku shqiptarët përleshen me njëri-tjetrin për Trumpin apo për Biden, kur ky debat ja vlen të bëhet me argumente dhe qetësi se kush mund të jetë më i mirë për ne.

Mediat serbe për shembull, ku disa prej tyre nuk e kanë fshehur preferencën për Donald Trump, gjithsesi kanë analizuar edhe variantin se sa ndikim do të ketë fitorja e Biden.

Dhe këtë e kanë bërë me argumente të ftohta, e ku nuk është parë një nivel i tillë përleshjeje në rrjetet sociale.

Në fakt, këtu kanë ndikim edhe palët që e zhvillojnë këtë debat në syrin e opinionit publik; këtë debat nuk duhet ta bëjnë me tone pasionale si debatin politik mes opozitës dhe mazhorancës në Shqipëri.

Duhet pak fresk për kokat e nxehta që helmojnë ambjentin, pasi një fjalë e tyre provokuese apo e rëndë shërben vetëm si shkrepse në ajrin e hidrokarbonizuar si pasoje e fosileve që janë kaplbur në këtë vend…