PDK-ja vendosi kushte që t’i bashkohet Qeverisë Hoti, ky është reagimi nga LDK-ja

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj, Sami Lushtaku, ka paralajmëruar se PDK-ja mund t’i bashkohet Qeverisë Hoti, por vetëm nëse u plotësohet kushti që t’u jepet posti i presidentit ose kryeministrit.

Madje, ish-kreu i Komunës së Skenderajt ka konfirmuar këtë duke thënë se është qëndrim i partisë dhe jo vetëm i tij, duke lënë kështu të qartë mundësinë që të “kurorëzohet” koalicioni.

E, për sa i përket kushteve të vëna nga PDK-ja, LDK-ja nuk i ka komentuar ato, ndërkohë që nga kjo parti është thënë se roli pozitë-opozitë duhet të jetë konstruktiv në shtetndërtimin e Kosovës. Kështu ka thënë për GazetaBlic, deputetja e Lidhjes Dmokratike të Kosovës, Lirije Kajtazi.

“Janë vendime të larta të partisë. Koalicioni i ka numrat dhe opozita është konstruktive për me i kalu çështjet madhore pa kushtëzuar. Për krejt këto lëvizje janë organet e partisë. Asnjë parti nuk është e vetë-mjaftueshme dhe secila ka nevojë për njëra-tjetrën, e sidomos në çështje madhore. Pra, esenciale është bashkëpunimi. Demokracisë dhe shtetndërtimit i duhet roli konstruktiv pozitë-opozitë dhe mundet gjithkush me kontribuuar. Për çdo gjë tjetër, janë organet e partisë që vendosin”, ka thënë Kajtazi, duke mos folur se a mund të bashkohet PDK-ja në Qeverinë Hoti.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës, do të mbajë sot takim mes kryesisë së ngushtë të partisë, për të vendosur se a do të hyjnë në koalicion me ëartinë Demokratike të Kosovës.

Burime të GazetësBlic, ekskluzivisht kanë bërë të ditur se Isa Mustafa, do të takohet gjatë ditës me kryesinë e ngushtë të partisë së tij dhe tema e vetme e diskutimit, do të jetë futja apo jo e Partisë Demokratike të Kosovës, në Qeverinë Hoti.

Sipas këtyre burimeve, diskutimi që pritet të bëhet për këtë çështje, është ndarja e pozitave mes tyre dhe partisë së Kadri Veselit dhe mundësia eventuale që AAK-ja e Ramush Haradinajt të përjashtohet nga koalicioni.