PDK deklarohet për raportimet se ka nisur bisedimet për koalicion me Vetëvendosjen

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka mohuar raportimet e fundit në medie për fillimin e bisedimeve, për një koalicion të mundëshëm mes kësaj partie dhe asaj të Albin Kurtit, Lëvizjes Vetëvendosje.

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi për GazetaBlic i ka mohuar këto pretendime, duke shtuar se kjo çështje, siç ka thënë ai, s’është diskutuar asnjëherë në Partinë Demokratike të Kosovës.

Jo, nuk është diskutuar kjo çështje me Lëvizjen Vetëvendosje, asnjëherë. Ne e kemi bërë të qartë se PDK do ta votoj rrëzimin e qeverisë kur LVV-ja t’i siguroj nënshkrimet për ta ftuar seancën. Ky është qendrimi zyrtarë i PDK-së. Çështja e emrave të ministrave dhe bashkëqeverisja me VV-në është spekulim dhe e pavërtetë”, ka thënë Bytyçi.

Në medie është raportuar se PDK, VV dhe minoritetet shumë shpejt do të nisin negociatat për rrëzimin e qeverisë aktuale.

Madje, sipas raportimeve, PDK do të hyjë në bashkëqeverisje me VV, dhe do do të kërkojë nga kjo parti, postin e presidentit, Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave si dhe Ministrinë e Shëndetësisë.

Lëvizja Vetëvendosje ka iniciuar mocion për rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti në gusht të këtij viti, por deri më tani ky mocion s’është proceduar në Kuvend, pasi nuk janë votat e mjaftueshme.