Paralajmërohen protesta nga veteranët e UÇK-së

Për më shumë se tetë orë, dje është mbajtur e rrethuar ndërtesa e OVL-UÇK-së. Policia e EULEX-it, ka arrestuar figurat kryesore të kësaj organizate, ndërsa ka konfiskuar cd e materiale tjera.

Derisa mbrojtës ligjor theksojnë se Zyra e Prokurorit të Specializuar ka vepruar sipas mandatit të saj, megjithëse aksioni po shihet si spektakël, përfaqësues të OVL-UÇK-së thonë se Gucati e Haradinaj janë kidnapuar dhe nëse mbahen në Hagë paralajmërojnë edhe protesta.

Avokati Arianit Koci thotë për KosovaPress, se Zyrja e Prokurorit të Specializuar ka vepruar sipas mandatit të vet, që ia kanë dhënë vet deputetët e Kosovës kur e kanë votuar ligjin.

“Unë e kam një shqetësim se si duket juristët e huaj nuk po e kuptojnë kontekstin tonë shoqëror. Dhe nuk ka pasur nevojë për asnjë lloj spektakli. Çdo i ftuar deri më tani i është përgjigjur ftesës edhe zotëri Gucati edhe zotëri Haradinaj ishin përgjigjur pa problem. Sa i përket bastisjes besoj që ka qenë një spektakël i panevojshëm. Ka pasur forca jashtëzakonisht të mëdha të policisë. Dhe nuk është dashur, me dy tre policisë kanë mujt me kry bastisjen pa asnjë problem”, thotë Koci.

Ai thotë se ende nuk dihet nëse dosjet e dorëzuara në zyrat e OVL-UÇK-së, janë dokumente autentike. E për këtë sipas tij, prokuroria duhet të jap shpjegim dhe të hetojë se pse kanë dalë këto dosje në masë të madhe. Si të tilla, Koci thotë se asnjë dokument, përmbajtja e tyre, ose emër të dëshmitarëve nuk duhet të bëhen publike.

“Unë besoj që këtu edhe OVL ka ra grackë e dikujt që është duke zhvilluar një luftë speciale kundër Gjykatës Speciale dhe zyrës së Prokurorit të Specializuar. Nuk po e len përshtypjen e mirë, sepse po ju shkon për shtati individëve që kanë qenë pro një gjykate kosovare me gjyqtarë të huajë, me prokurorë të huajë, me hetuesit e huajë dhe përkthyes të huajë”, thekson Koci.