Nga shofer i vëllait të presidentit Thaçi, në këshilltar të ministrit – kush është Enis Qerka i arrestuar për drogë?

Emri i Enis Qerkës u kthye sërish në publik, pasi u bë këshilltar i ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi. Me drejtësinë, ai deri tash ka pasur veç probleme. U përfshi në një rrahje krah Gani Thaçit, vëllait të presidentit Hashim Thaçi. Herën e fundit kur ai është përmendur, ka qenë arrestimi i tij për 113 kilogramë drogë, shkruan Gazeta Express.

Ndonëse, Ministria e Drejtësisë nuk e bëri publik emërimin e tij si këshilltar, ata pohuan se vendimi për Enis Qerkën është nënshkruar dhe “ka shkuar në administratë si çdo vendim tjetër”.

Por, për çka njihet emri i Enis Qerkës dhe cila ishte lidhja e tij me vëllain e presidentit Thaçi, Ganiun?

Në dhjetor të vitit 2018, Enis Qerka u arrestua në kufirin Kosovë – Maqedoni nën dyshimin se ishte i përfshirë në kontrabandimin e 113 kilogramëve narkotikë që dyshohet se ishte e llojit heroinë. Atë kohë, Qerka punonte si shofer i Gani Thaçit, vëllait të presidentit Thaçi, i cili ishte në krye të Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Gjykata ia pati caktuar Qerkës një muaj ditë paraburgim, por ai dhe dy të dyshuar të tjerë, ishin liruar nga paraburgimi pas një jave dhe iu kërkua të paraqiteshin në stacionin e policisë.

Para se të prangosej, nën dyshimet për narkotikë, mediat raportuan se Enis Qerka ishte njeriu që u përfshi dhe e ndihmoi Gani Thaçin në përleshjen fizike që kishte ndodhur në tetor të 2018-ës, gjatë një mbledhjeje të Byrosë Kosovare të Sigurimeve.

Qerka në korrik e ka publikuar një fotografi me presidentin Thaçi.

Madje, për këtë Prokuroria Themelore në Prishtinë filloi hetimin për veprën penale “sulm” ndaj Gani Thaçit e Enis Qerkës.

Sot, kur mediat bënë publik emërimin e tij si këshilltar i Jashtëm i Ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, ky i fundit njoftoi se pas raportimit në media e ka liruar Enis Qerkën nga detyra.

“Sot në mëngjes pas raportimit të mediave, kam liruar nga detyra Enis Qerkën”, ka njoftuar Selimi. /Gazeta Express/