Ministri Zemaj paralajmëron masa të reja kundër koronavirusit

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka paralajmëruar marrjen e masave të reja me qëllim të frenimit të koronavirusit, mirëpo nuk ka dhënë detaje se për çfarë bëhet fjalë.

Ai e ka bërë këtë njoftim të dielën pasi ka takuar kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, kryetarin e Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, kryetarin e Shoqatës së Gastronomëve, Petrit Kllokoqi dhe kryetarin e Odës Hoteliere të Kosovës, Hysen Sogojeva për të diskutuar masat e reja që mund të marrin autoritetet.

“Secili nga ne ndjejmë përgjegjësinë për mbarëvajtjen e shëndetit publik dhe shëndetësisë, andaj është qenësore që të gjithë se bashku, nga aty ku veprojmë t’i zbatojmë rregullat për të parandaluar përhapjen e virusit sikurse dhe udhëzimet që dalin nga Manuali për Mbrojtje nga Përhapja e Covid-19”, ka thënë Zemaj përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.