Ministri i Drejtësisë: Burrit që dyshohet se vrau gruan në Kamenicë t’i jepet dënim i merituar

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka ftuar institucionet e sigurisë t’i trajtojnë me urgjencë rastet e dhunës në familje

Selimi ka shkruar në Facebook se iu bën thirrje institucioneve të drejtësisë të japin dënimin e merituar për këtë rast tragjik.

“Shqetësuese ngjarja e rëndë e vrasjes së bashkëshortës në Dardanë. Ngushëllime të thella familjes së të ndjerës. Me këtë rast, iu bëj thirrje institucioneve të drejtësisë që të japin dënimin e merituar për këtë rast tragjik dhe së bashku me institucionet e sigurisë t’i trajtojnë çdoherë me urgjencë rastet e dhunës në familje”, ka shkruar Selimi.

Ai ka thënë se dhuna në familje dhe keqtrajtimi i grave janë të papranueshme.

“Dhuna në familje dhe keqtrajtimi i grave janë të papranueshme, në kundërshtim me të drejtat bazike të njeriut dhe si të tilla nuk do të tolerohen”, ka shkruar Selimi.