Ky është numri i qytetarëve që u gjobitën për mosrespektim të masave për 1 javë në Kosovë

Të gjithë ata që nuk respektojnë Ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, gjobiten duke filluar nga 35 deri në 2,000 euro, varësisht nga shkeljet.

Policia e Kosovës çdo ditë njofton për numrin e atyre që shkelin këtë ligj, ku vetëm për javën e fundit zyrtarët policorë kanë shqiptuar 7 mijë e 442 tiketa në bazë të këtij ligji.

Ndërkohë dje është shënuar numër rekord i rasteve të reja, gjithsej 418, ku për shkak të kësaj situate, sot në orën 11:00 do të mblidhet Komiteti për vlerësimin dhe koordinimin e situatës pandemike, ku do të shqyrtohen kufizimet eventuale që mund të merren.

Masa pritet të merren për Prishtinën në veçanti meqë numri më i madh i personave të infektuar është nga kryeqyteti.

Që nga 13 marsi e deri më tani në Kosovë numri total i rasteve pozitive është 19 mijë e 328 raste nga 92.706 persona të testuar dhe 678 raste të vdekjes, shkruan Sinjal.

Derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 15 mijë e 434 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3 mijë e 126.