Kryeministri Hoti flet për koalicionin e mundshëm me PDK-në: Qeveria është stabile, nuk ka arsye për kombinime tjera

“Qeveria është stabile, derisa është kështu nuk shoh arsye për kombinime të tjera”, kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pasi është pyetur për përfshirjen e mundshme të Partisë Demokratike në qeveri.

Kryeministri Hoti pas mbledhjes se qeverisë tha se sot miratuan 15 marrëveshje që ai i quajti të rëndësishme, të cilat do të nënshkruhet të premten me Shqipërinë.

Sipas tij, në këtë mënyrë do të thellohet bashkëpunimi në mes të dy vendeve.

Për krijimin e zyrës e cila do të ofrojë asistencë për qytetarët e Luginës, Hoti tha se kjo do të jetë një mbështetje për qytetarët e Luginës për të mbrojtur dhe promovuar të drejtat e tyre, për t’i mbështetur në fushën e arsimit, në aktivitetet kulturore, duke nxitur bashkëpunimin në mes odave dhe bizneseve.

Hoti tha se në mbledhjen e së premtes, një prej pikave do të jetë edhe analiza e marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani në mes të Kosovës dhe Shqipërisë si dhe nënshkrimi i një deklarate të përbashkët.