Krasniqi: Vetëm PDK votoi pro rritjes së pagave për mjekët dhe policët

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku u shqyrtua buxheti i Kosovës, u propozua edhe rritja e pagave për personelin shëndetësor dhe policëve për shkak të angazhimit të tyre në luftën kundër pandemisë. Por, pro një vendimi të tillë nuk votuan Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Propozimin për rritjen e pagave e dha deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ndërkohë që deputeti tjetër i PDK’së, Memli Krasniqi, thotë se pro këtij propozimi ka votuar vetëm partia e tij.

“Bëhet fjalë për amendamentin 63 dhe 64, ku vetëm deputetët e PDK’së kanë votuar pro propozimeve për rritjen e pagave për punëtorët shëndetësorë dhe policët. Asnjë deputet nga grupet e tjera nuk e ka mbështetur këtë thirrje”, ka thënë Krasniqi për Express.

Derisa asnjë nga deputetët në Kuvend nuk votoi pro rritjes së pagave, përveç grupit parlamentar të PDK’së, Gazeta Express mëson se LDK’ja votoi kundër, ndërkohë që VV’ja abstenoi.

Propozimi për rritjen e pagave mori vetëm 24 vota pro, aq sa ishin deputetët e PDK’së në sallë. Vota të cilat nuk mjaftuan që personelit shëndetësor dhe policëve t’u rriten pagat./GazetaExpress/