Kosova regjistron 8 viktima si dhe 181 raste të reja me COVID-19

Të enjten, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar edhe tetë viktima nga COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi i ri.

Numri i përgjithshëm i atyre që kanë humbur betejën me sëmundjen ka arritur në 158. Një ditë më herët ishte njoftuar për 150 viktima. Sipas Institutit viktimat kanë pasur sëmundje tjera shoqëruese.
https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2FIKSHPK%2Fposts%2F2929745263820125&width=500

Në bazë të raportit ditor, IKSHPK njofton se ka testuar edhe 420 pacientë të dyshuar me koronavirus, dhe prej tyre 181 kanë dalë pozitivë.

Me këtë shifër, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë – që nga mesi i muajit mars – ka arritur në 6.467.

“Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 136 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 3.505 raste, kurse numri i rasteve aktive është 2.804”, thuhet në njoftimin e Institutit.

SHSKUK: Po trajtohen 567 pacientë

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) dhe në spitalet e përgjithshme rajonale po trajtohen 567 pacientë, prej të cilëve, 289 janë raste të konfirmuara me COVID-19, 255 janë të pritje të konfirmimit ndërsa 21 kanë dalë negativë.

Në njoftim theksohet se në trajtim me respiratorë janë 18 raste; me oksigjenoterapi 327 pacientë ndërsa me CPAP (makina për frymëmarrje) janë 23 pacientë.