“I kom pa 23 kufoma, Aliut ia kishin pasë pre kokën”, rrëfimet e dëshmitarëve të maskarës së Abrisë

22 vjet më parë në fshatin Abri të Epërme në Skenderaj u krye një nga masakrat më të tmerrshme nga forcat serbe, ku u vranë 23 anëtarë të familjes Deliu, në mesin e tyre gra, fëmijë e pleq.

Banorët e këtij fshati edhe pse ishin të strehuar në mal, përsëri u kapën nga forcat serbe, e që mosha më e vogël e të masakruarve ishte 6 muajsh ndërsa më e vjetra 94 vjeç.

Pjesëtarë, dëshmitarë e familjarë, tregojnë për tmerrin që e përjetuan në këtë masakër.

E mbijetuar e kësaj masakre, Liridona Deliu, thotë se nga familja e saj kanë shpëtuar vetëm katër anëtarë.

Derisa në mes emocionesh rrëfen për plagët dhe traumat që po i bartin si pasojë e kësaj masakre.

“Kemi shpëtuar nga masakra 4 anëtarë të familjes, vëllai, motra edhe djali i axhës. Jem kanë në fund të arave na kanë granatua kemi pas shumë plagë të rënda na të tretë dhe në fund shkitë na kanë marrë prapë, kanë mendua që jemi te vdekur…. pas një kohe axha ka marrë vesh që jemi gjallë dhe ka ardhë na ka marrë. Shumë kemi plagë të rënda e trauma”, thotë ajo.

E Bajram Seferi, rrëfen momentin kur e kuptoi se vajza së bashku me familjen e saj u masakruan.

Ai në mes lotësh thotë se po të ishte mbytur nga plumbi edhe dhimbja kishte me qeën më e lehtë.

“Ademit po i them ‘Adem rri qetu, çka të bahet me tanë ne të bahet edhe me neve’, katër herë. Reja po ma ban ‘Bac çka me ba a me shku edhe na me ta’, thash ‘jo’. Çikes me i thanË nalmu me nda prej familjes nuk mujsha edhe shkoi. Ajo u ardhë t’u kajt e ka zatet nji kushëri i kish thanë ‘Bacin kanë me mbytë e unë po pshtoj’, e se ka ditë që ajo do të vdes e unë do të jes…Vështirë e kom përjetu, kom pasë thanë me u mbyt prej plumbit është krejt tjetër send, po këta janë masakruar në mënyrë barbare”, thotë ai.

Për Luljeta Elshani-Deliu, dita kur e kuptoj se babai, vëllai, e kunata me dy fëmijë, ishin masakruar, ka qenë dita më e kobshme e jetës së saj.

“Një dajë i burrit po më thotë, tha ‘a po vjen shkojmë në Abri’, por nuk tregojke për çka, se ai e kish pas ditë që janë mbytë këta e unë nuk e dijsha. T’u shku teposhtë kur po i shoh tmerr. Thash ‘çka u ba këtu’. Një kojshi po ma bën tha, maspari i përmendi të vetit tani me tha ‘LuljetË qeshtu edhe Fazlia’. Baba mu ka mbyt, vëllai, kunata dhe dy vajza të vllaut, ma në atë moment sen s’kom dit se me ka ra në zgabim”, thotë ajo.

Shaqir Veseli, thotë se kur ka arritur në vendin e ngjarjes i ka parë 23 kufoma në mes tyre fëmijë e gra shtatzëna.

Ai iu drejtua Eulex-it, për zbardhjen e këtij rasti për çka u shpreh i bindur, se këta të fundit e dinë se cili korpus serb ka qenë i pozicionuar në këtë fshat.

“Unë kam ardhur pikërisht sot 22 vite këtu ku ka qenë masakra në fshatin Abri, të nesërmen me 27 po i bie kom ardhur në vendin e ngjarjes fikall vetëm. I kom pa 23 kufoma, ma të parën kufomë jam has në Ali Deliun, të cilit ia kishin pasë pre kokën. I kom pa të gjitha masakrat fëmijë e gra, bile edhe gra shtatzëna….E kam një apel për Eulex për me zbardh këtë rast, se mirë e din Eulexi cili korpus i forcave serbe ka qenë i pozicionuar këtu dhe ata duhet me dhënë llogari për krimet në Kosovë”, thotë ai.

Ndërkaq, Bashkim Deliu, po ashtu i mbijetuar i masakrës, thotë se institucionet tona për të gjitha këto krime, duhet të ngrehin padi për shtetin serb.

“Këtë në këtë vend është masakruar familje Deliu, 16 anëtarë të familjes Deliu i kemi gjetë me Imerin, në mënyrë më barbare. Prej moshës 6 javësh deri përmbi moshën 60 vjeçare…U bëj thirrje institucioneve tona me zbardh këtë rast, sa më shpejt me i bo padi Serbisë, sepse këto krime i kanë bërë kriminelët serbë”, thotë ai.

Më 26 shtator 1998, forcat serbe masakruar 23 anëtarë të familjes Deliu në fshatin Abri të Epërme,