Hoti vërejtje policisë: Pati mosangazhim, do të jepet përgjegjësi nga zingjiri komandues

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka folur para mediave pas takimit të Komitetit për Vlerësimin e Situatës së Pandemisë në vendin tonë.

Para gazetarëve, Hoti tha se nëse thjeshtësohen të gjitha masat e nevojshme, dalim tek mbajtja e maskës, higjienës dhe distancës sociale, shkruan lajmi.net.

“Ju i keni parë rritjen e numrit të rasteve ditëve të fundit. Kemi humbur tre persona nga stafi mjekësor. Vlerësimet e përditshme janë këto, që tri instrumentet e vetme për menaxhim janë mbajtja e detyrueshme e maskës, distancës dhe higjienës personale. Kur të thjeshtësohen të gjitha, dalim tek këto tri masa, që ruajnë jetët deri sa nuk kemi në dispozicion vaksinën. Inspektorati dhe policia duhet të bëjnë punën e tyre”, tha ai.

Hoti pati vërejtje për policinë dhe inspektoratin, të cilat sipas tij duhet të tregohen më të kujdesshme.

Në këtë kontekst, ai përmendi mbajtjen e aktiviteteve sportive si dhe protestave pa lejen e policisë së Kosovës.

 Jemi të shqetësuar me mosrespektimin e masave në disa raste dhe mosangazhimin e nevojshëm të inspektoratit dhe policisë. Kemi pasë këto ditë aktivitete sportive. Ka pasë edhe protesta pa lejen e policisë. Personat përgjegjës në zingjirin komandues duhet të marrin përgjegjësi për mosrespektimin e masave. Ndërkohë që po flasim janë rreth 570 pacientë të shtrirë në QKUK dhe Spitalet Rajonale, ndërkohë që ne kemi 700 shtretër në dispozicion”, tha Hoti. /Lajmi.net/