Hoti për Haradinajn: Do ta mbaj të informuar për dialogun, nuk ka arsye të dalë nga koalicioni

Kryeministri Avdullah Hoti ka komentuar para mediave pas takimit në Presidencë, deklaratën e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, lidhur me mundësinë e daljes nga koalicioni qeveritar për shkak të procesit të dialogut.

Hoti ka thënë se ai do t’i mbajë të informuar të gjitha palët dhe nuk ka  ndonjë arsye që të merren veprime të tilla për shkak të procesit të dialogut, raporton Gazeta Express.


“Për shkaqe të dialogut unë do t’i mbaj të gjitha palët plotësisht të informuara, nuk do të ketë askush asnjë arsye të ndërmarrë ndonjë veprim për shkak të dialogut”, është shprehur kryeministri Hoti.

Haradinaj ditë më parë ka kritikuar qasjen e Avdullah Hotit në procesin e dialogut për  mospërfilljen dhe shmangien që Hoti i kishte bërë ministrit të Drejtësisë Selim Selimi në takimin e Brukselit me presidentin serb Aleksander Vuciq dhe mosnjoftimin për emërimin e Skender Hysenit në pozitën e koordinatorit shtetëror për dialogun

“Ja kam thënë zyrtarisht i kam dërguar edhe shkresë ku i kemi vërejtjet, nuk ka pasur arsye me marrë shefen e kabinetit të tij përball takimit me Aleksander Vuciqit që tash e ka përvojën e parë e me lënë jashtë takimit Selim Selimi”, kishte thënë Haradinaj. /Express/