Historia e mashtruesit Shqiptar qe fotografohet me Albin Kurtin

Shumë herë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kishin akuzuar liderët tjerë ish kryeministra për fotografim me njerëz të krimit e mashtrues.

Por, një gjë të tillë nuk po mund t’i rezistojë as kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ish kryeministër i Kosovës.

Ai është fotografuar me njerëz të krimit e mashtrues. Njëri prej tyre është edhe mashtruesi shqiptar Albano Shehu, 35 vjeçar. Madje, ai njihet edhe me një emër tjetër, pos Albano Shehu. Emri tjetër është Ledjan Muçaraku.

Vet Muçaraku ka publikuare fotografi me Kurtin, ku në një gjysmë rreshti ka bërë shumë gabime drejtshkrimore.

Për Muçarakun, kanë shkruar edhe mediat në Shqipëri. Më poshtë është edhe një shkrim i TvKlan.

Shpeshherë kemi dëgjuar se është kapur dhe arrestuar një keqbërës, fare mirë atë hetuesit mund ta kenë ngarkuar edhe me krime të tjera që nuk i kanë zbuluar ende. Kështu  e paraqesin lehtësisht tek gazetarët si një kriminel të rrezikshëm nga i cili shpëtoi shoqëria.

Por ky nuk është rasti i Ledjanit, 35-vjeçarit të lindur në Vlorë dhe të birësuar nga prindërit biologjik në një familje tjetër.

Ai u arrestua në vitin 2014 si i dyshuar për ngritje skeme piramidale dhe mashtrimin e 900 personave. Por numri i “viktimave” është më i madh, gjë e cila pranohet lehtësisht nga ai vetë.

Me 30 Qershor të 2014, Ledjan Muçaraku prangoset në një prej lokaleve të njohura në rrugën Myslym Shyri në kryeqytet.

I kollarisur, i mbushur në flori, me dy telefona të kushtueshëm në duar dhe nën shoqërinë e një biznesmeni të njohur, ai nuk bën rezistencë dhe pranon urdhrin e dy oficerëve të policisë kriminale që i komunikojnë se duhet të shkonte me ta në Drejtorinë e Policisë Tiranë.

Diçka kishte nuhatur por nuk e besonte se më në fund dita kishte ardhur. Pas 10 vitesh aktivitet, tashmë një akuzë konkrete dhe e provuar ishte ngritur ndaj tij dhe për këtë arsye gjykata kishte vendosur masën e sigurisë arrest me burg.

Lajmi i arrestimit të tij në media bëri bujë, titujt sensacional të tipit “Arrestohet supermashtruesi, 900 persona e 50 biznesmenë bien në grackën e piramidës së 29-vjeçarit”, ishin kryefjalë e asaj dite.

Dy ditë më vonë, Ledjani para dyerve të Gjykatës së Fierit po sillej si një njeri hallexhi, një njeri i thjeshtë. Qëllimi ishte të provokonte dhembshuri. Me pak fjalë të bënte tregti me ndjenjat e njerëzve. Edhe ky është një tjetër lloj mashtrimi.

Ledjani shiti ëndrrat, shpresat dhe gënjeshtrat e njerëzve. Pas 5 viteve burg, Ledjan Muçaraku tashmë është i lirë.

Ai ka dhënë një intervistë për emisionin ‘Uniko’, një intervistë e pazakontë, kontroverse, e mbushur me detaje, rrëfime të plota të aktivitetit të tij kriminal.

Demonstrimi i detajuar i mashtrimeve të Ledjanit të habit. Është një mashtrues akrobat që nuk preferon të quhet i tillë. Ai tenton  të na mashtrojë edhe neve, aty për aty, për gjëra tashmë të faktuara.

Cili është emri i tij i vërtetë? Aktualisht mban dy identitete të cilat pretendon se i ka zyrtare, Albano Shehu dhe Ledian Muçaraku.

Kishte ikur nga Fieri në vitin 2005 në drejtim të Gjirokastrës pa asnjë qindarkë.

Nuk e fsheh në intervistën e tij, faktin se ishte i detyruar por dhe i vendosur që të kryente çfarëdo lloj shkelje me qëllim final që të pasurohej.  Pretendon se nul kishte asnjë rrugë tjetër përveç se të përfshihej në aktivitet kriminal.

Pavarësisht pyetjeve, Ledjan Muçaraku nuk i rrëfen ngjarjet në mënyrë kronologjike. I rrëfen ashtu siç i vjen. Shpeshherë tenton t’i shmanget pyetjeve.

Në kohën që rrëfen se si e nisi veprimtarinë kriminale të mashtrimit, aty për aty tregon për ngjarjet dhe mashtrime që ka kryer në vitin 2014.

Ai rrëfen për fëmijërinë, për faktin se në fshat dhe në gjimnaz e ngacmonin me tallje, kjo ndoshta sipas tij ishte një nga arsyet përse ai u përfshi në veprimtari kriminale. Për t’iu treguar të gjithë bullistëve se ai mund tia dilte, Ledjani rikthehet në fshat duke i mashtruar secilin prej  tyre.

Nëse jeni kureshtarë të ndiqni rrëfimin e Ledjan Muçarakut që nuk preferon të cilësohet si mashtrues i thjeshtë, as si  kryemashtrues, por me një titull të çuditshëm, ju ftojmë ta ndiqni intervistën në vijim.