Dua Lipa bëhet artistja e parë që ka katër këngë me nga mbi një miliard dëgjime në Spotify

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, ka qenë shumë e përfolur ditëve të fundit.

Një postim i bërë në rrjetin social Instagram, ku shfaqej flamuri autokton dhe deshifrimi i fjalës, bëri që artistja të komentohej mbarë botërisht për patriotizmin e saj.

Mes shumë komenteve lidhur me postimet e fundit dhe kërkesën e saj publike ndaj kompanisë Apple që ta njohë hartën e Kosovës, Dua po shijon edhe suksese të shumta në muzikë.

Kënga e saj “Don’t start now”, e cila është kënga e parë e albumit të saj të dytë që u publikua këtë vit, “Future Nostalgia”, pak ditë më parë arriti shifrën prej një miliard dëgjimeve në platformën më të madhe të muzikës në botë, Spotify.

Tri këngët tjera që gëzojnë një sukses të tillë me nga mbi një miliard dëgjime në SPotify janë këngët: “New Rules”, “IDGAF” dhe “One Kiss” në bashkëpunim me Calvin Harris.

Lajmi është shpërndarë nga faqja e njoftimeve muzikore “Pop Base” në rrjetin social Twitter, e cila citon: “Dua Lipa bëhet artistja e parë femër në historinë e Spotify-t me katër këngë me mbi një miliard klikime, pasi “Don’t start now” e arriti këtë shifër së fundmi”.